Ankesa për papastërti e vonesa në hapje të pishinës së Gërmisë

Pas disa ditësh mbyllje, pishina e Gërmisë u hap përsëri.

Rihapja u bë pas analizave që iu bënë ujit, si dhe testimit të pompave.

Përkundër vapës, interesimi i qytetarëve për ta shfrytëzuar këtë pishinë, mbetet i vogël.

Labinot Bajrami, i cili viziton çdo vit pishinën, thotë që këtë vit ka ma shumë alga, por këtë nuk e cilësoi si papastërti.

“Fllimisht duhet me kuptu esencën që bazeni i Gërmisë mbushet direkt prej malëve të Gërmisë edhe uji që vjen sidomos kur ka munges të ujit vjen më më shumë alga. Tani algat po e shkaktojnë qato që shumica po e cilësojnë si ndotje”, ka thënë Labinot Bajrami, qytetar.

“Mu dukë më i mirë, edhe më shumë ujë, u mbush bazeni”, ka thënë qytetari tjetër.

Ndërkaq, qytetari Bajram Maloku, ka një mendim tjetër.

“Si pishinë është shumë e bukur por si duket Komuna ka qenë jo profesionaliste për krejt këtë kohë. Ka pas kohë dhjetë muaj ditë për me ndreq dy mujë ditë. Kur u hap së pari ka qenë shumë e pa pastër nuk e di pse. Unë kisha thon veç nuk janë profesionalist”, është shprehur edhe një qytetar.

Këto pamje të pishinës, i publikoi gjatë ditës së djeshme, asamblisti i Vetëvendosjes, Besart Krasniqi.

I pyetur për këtë, zëdhënësi i komunës, Donat Lushaku, ka thënë se nuk mund të komentoj, pasi sipas tij, për këtë çështje do të duhej të fliste edhe IKSHPK-ja, të cilët kanë rekomanduar hapjen e pishinës.

Ndërkaq, ankesat e qytetarëve për vonesa në hapjen e pishinës, i ka konsideruar të drejta.

“Ankesat e qytetarëve mund të konsiderohen të drejta në kuptim të vonesës së hapjes fillestare, teksa mbyllja për shkak të analizave të ujit ka qenë për garantimin e sigurisë së shëndetit publik që prek qindra mijëra vizitorë, e të cilët janë banorë të Prishtinës, por edhe të qyteteve të tjera të Kosovës”, kanë thënë nga Komuna e Prishtinës.

Mirëpo, për opozitën në kryeqytet, këto probleme janë të papranueshme.

“Për neve është për keqardhje që është vonu ka shumë hapja e Gërmisë. Madje, edhe kur u hap, u hap me telashe. Me sy vërehet që pjesa posht e pishinë së Gërmisëështë e pa pastër. Tash, konsekuencat dhe pasojat prej nga kan ardh, por vërehet ashiqare që nuk ka mirëmbajtje të mirë”, ka thënë Faton Zeka.

Ai tutje shton se pishina duhet të jetë në funksion të qytetarëve dhe jo të grupeve të interesit.

“Komuna e Prishtinës duhet ta ketë një qasje më serioze për pishinën e Gërmisë, të intervenoj në pishinë dhe atë pishin ta vë në shërbim të publikut dhe mos ta jep në shfrytëzim privat e të ngriten qmimet më shtrejt se sa në secilen pishin private tjetër. Se aseti është i Komunës së Prishtinës dhe ështëi qytetarit të Prishtinës dhe duhet me u vë në funksion të qytetarit dhe jo të grupeve të caktuar të interesit.”, është shprehur tutje Zeka.

Për këto pretendime, por edhe për gjendjen e pishinës, Tëvë1 që nga mëngjesi ka provuar të kontaktoj me kryeshefin ekzekutiv të Ndërmarrjes Publike “Sport Marketing”, Bardh Krasniqi, mirëpo ai nuk është përgjigjur.

Gjithashtu, televizioni nuk është lejuar që të marrë pamje brenda pishinës.