Real Madridit i shkon oferta e parë për Rodrygon, kap shifrën e 100 milionë eurove
E ardhmja e Rodrygo Goes vazhdon të jetë në qendër të diskutimeve në zyrat e Real Madridit dhe në mesin e klubeve më të mëdha evropiane. Edhe pse sulmuesi brazilian ka kontratë me klubin madrilen deri në qershor të vitit 2028, qëndrimi i tij nuk është i sigurt, dhe gjithçka tregon se ky mund të jetë sezoni i tij i fundit në “Santiago Bernabéu”.
Sipas raportimeve të fundit nga DefensaCentral, Paris Saint-Germain është klubi që po insiston më shumë për ta transferuar 24-vjeçarin. Klubi francez ka ofruar një shumë që varion nga 80 deri në 100 milionë euro, duke sinjalizuar seriozitet të lartë për ta bërë të tyren ish-lojtarin e Santos.
PSG nuk ofron vetëm një kontratë të majme financiare, por edhe një rol kyç në skuadër: do t’i garantojë Rodrygos krahun e majtë të sulmit – pozicionin e tij të preferuar – gjë që ka ndikuar në interesimin e lojtarit për këtë opsion. Në Madrid, ai shpesh është ndjerë i zhvendosur nga pozicioni natyral, gjë që ka ndikuar në formën dhe vetëbesimin e tij.
Nga ana tjetër, PSG sheh te Rodrygo një potencial të madh për të qenë një nga yjet e ardhshëm të futbollit botëror, sidomos në një ambient ku mund të ndërtojë identitetin e tij si lider në fushë. Gjithashtu, presidenti Nasser Al-Khelaifi, pas largimit të Kylian Mbappé drejt Real Madridit, dëshiron ta përmbyllë verën me një goditje të fortë në merkato – dhe braziliani shihet si zëvendësimi ideal.
Pavarësisht se Rodrygo ka shprehur publikisht dëshirën për të qëndruar në Madrid, nëse Real vendos ta shesë dhe PSG intensifikon përpjekjet, gjasat për një transferim në “Parc des Princes” janë shumë të mëdha.