Themelorja ende pa vendim të ri për masën e sigurisë ndaj 5 policëve në Lipjan
Mos analizimi dhe mos vlerësimi i provave nga ana e Gjykatës Themelore, kur kishte vendosur masën e paraburgimit për 5 zyrtarët policorë në Lipjan, të dyshuar për vrasje nga pakujdesia, ka quar në anulim të këtij vendimi nga Apeli.
Megjithatë kolegji shkallës së dytë ka lënë në paraburgim të nëjtit, derisa gjykata e shkallës së parë të marrë një vendim të ri.
Në vendimin e Apelit, të siguruar nga Dukagjini, thuhet se Themelorja nuk e kishte arsyetuar sa duhet caktimin e masës më të rëndë për të dyshuarit.
“Kolegji i kësaj gjykate konstaton se në aktvendimin e atakuar vetëm janë listuar provat e propozuara nga ana e prokurorit por të njëjtat fare nuk janë analizuar dhe vlerësuar për ta përcaktuar së pari relevancën e tyre, pastaj besueshmërinë e tyre – rrugën e sigurimit të tyre për të ardhur te elementi i tretë për ta përcaktuar fuqinë provuese të secilës provë relevante me qëllim të vërtetimit të kushtit themelor- dyshimin e bazuar se është kryer vepra penale, për tu caktuar një mas për sigurimin e prezencën e të pandehurve në procedurë penale e posaçërisht me të rëndë paraburgimin”.
Por një arsyetim i tillë nga ana e kolegjit të Apelit, po shihet si i çuditshëm nga avokati i familjes së 27-vjeçarit Agon Zejnullahu, i cili vdiq para disa javësh derisa po arrestohej nga zyrtarët e dyshuar policorë.
“Ajo çka më la mua përshtypje bëhet fjalë për një praktikë pak më ndryshe sesa në raste të tjera, sepse kemi raste të ndryshme e të shumta, më të lehta e më të rënda kur gjykata e apelit nuk kujdeset në nivel kaq të lartë duke e ngrit nivelin dhe kriterin e arsyetimit saqë e ka ngrit si në çështjen në fjalë, duke kërku elaburim edhe analizim të detajuar të provave personale e materiale”, ka thënë avokati i familjes Asdren Hoxha.
E pyetur se kur pritet të merret vendimi i ri për 5 zyrtarët policorë, Gjykata Themelore në Prishtinë nuk ka kthyer përgjigje gjatë ditës.
Por, sipas ish-kryetarit të Gjykatës së Apelit, Hasan Shala, gjyqtarit duhet që në një afat sa më të shpejtë të vendoset për masën e sigurisë ndaj tyre.
“Gjykata duhet të vendos menjëherë brenda 24 orëve duhet të vendoset për propozimin tani për caktimin e paraburgimit të cilën e ka propozuar prokurori, gjykata e shkallës së pare është e obliguar tani të veprojë konform vërejtjeve edhe sugjerimeve që ka dhënë Gjykata e Apelit me rastin e prishjes së aktvendimit mbi caktimin e paraburgimit”, ka thënë Shala.
Ibrahim Nela, Albian Ratkoceri, Artidon Konxheli, Liridon Rrahmani dhe Endrit Beqiri u arrestuan më 7 korrik dhe më pas u dërguan në paraburgim, nën dyshimet për vrasje nga pakujdesia të 27-vjeçarit Agon Zejnullahu.
Vetëm pak orë pas rastit, video të xhiruara nga momenti i arrestimit të Zejnullahut janë publikuar në media, duke nxitur reagim të shumta./dukagjini