Pas 64 vjetesh, Milani merr vendim për ndryshim kapiteni

Portieri francez i Milanit, Mike Maignan, do të mbajë zyrtarisht shiritin e kapitenit për sezonin 2025/26. Pas largimit të Davide Calabrias, që e mbante shiritin në sezonet e fundit, trajneri Massimiliano Allegri ka vendosur t’ia besojë këtë përgjegjësi portierit francez, duke u bazuar në hierarkinë dhe autoritetin që ai ka ndërtuar brenda ekipit.

Maignan trashëgoi përkohësisht shiritin e kapitenit në gjysmën e sezonit të kaluar, por këtë vit do ta nisë sezonin si lideri zyrtar i kuqezinjve.

Kjo shënon një moment historik për klubin, pasi është hera e parë në 64 vjet që kapiteni i Milanit nuk është italian. I fundit i huaj që mbajti këtë rol ishte suedezi Nils Liedholm, në vitin 1961.Sipas raportimeve të Gazzetta dello Sport, zgjedhja e një kapiteni në Itali nuk bazohet vetëm në cilësitë teknike apo minutat në fushë, por edhe në lidhjen emocionale me klubin, karakterin dhe prejardhjen e lojtarit.

Maignan, i njohur për lidershipin dhe qëndrueshmërinë e tij mes shtyllave, ka fituar respektin e shokëve të skuadrës dhe stafit teknik që nga transferimi i tij nga Lille në vitin 2021.Ndërkohë, në skuadër gjendet edhe Luka Modric, një tjetër emër me përvojë të madhe dhe histori të lavdishme në futbollin evropian. Kroati është lojtari me më shumë trofe në karrierë te Milan për momentin dhe pritet të jetë pjesë e ngushtë e grupit drejtues të skuadrës këtë sezon. /Telegrafi