Zyrtare: Bryan Mbuemo lojtari më i ri i Manchester United

Manchester United ka zyrtarizuar transferimin e sulmuesit Bryan Mbeumo nga Brentford. 

25-vjeçari ka firmosur një kontratë pesëvjeçare me klubin nga “Old Trafford”, e cila zgjat deri në qershor të vitit 2030, me opsion për një vit shtesë. Sipas The Athletic, marrëveshja u arrit pas javësh negociatash dhe kap vlerën deri në 71 milionë euro, përfshirë një pagesë fillestare prej 65 milionë, që do të paguhet në katër këste, si dhe 6 milionë të tjera në formë bonusesh. 

 

Brentford kishte synuar të siguronte një shumë më të madhe sesa ajo që United pagoi për Matheus Cunha nga Wolves më herët gjatë këtij afati. Oferta fillestare e United prej 45 milionë plus 10 milionë bonuse ishte refuzuar, ashtu si edhe propozimi i dytë prej 55 milionë plus 7.5 milionë bonuse.Për Mbeumo kishte interes edhe nga Tottenham, Arsenal dhe Newcastle, por sulmuesi kamerunas kishte shprehur qartë dëshirën për të kaluar te Manchester United, siç u raportua më 2 qershor, duke zbuluar gjithashtu se kishte qenë tifoz i “Djajve të Kuq” që në fëmijëri. Kamerunasi është nënshkrimi i tretë ofensiv i verës për United, pas transferimeve të Cunha nga Wolves dhe Enzo Kana-Biyik, megjithëse ky i fundit do të kalojë sezonin e ardhshëm në huazim te Lausanne-Sport në Zvicër. 

Mbeumo ka regjistruar 242 paraqitje me Brentford, që prej transferimit nga Troyes në vitin 2019, duke shënuar 70 gola dhe dhënë 51 asistime në të gjitha garat. 

 Ai njihet gjithashtu për saktësinë e tij në penallti, duke humbur vetëm një nga 12 të goditura për Brentford./Telegrafi