Prokuroria në Beograd kërkon hetim për arrestimin e Igor Popoviqit në Kosovë
Prokuroria në Beograd ka njoftuar se i ka drejtuar kërkesa Drejtorisë së Policisë Kriminale dhe Agjencisë së Sigurisë dhe Informacionit të Serbisë (BIA) për mbledhjen e informatave të nevojshme, “me qëllim të identifikimit të personave” që më 18 korrik në Kosovë arrestuan ndihmësin e drejtorit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Igor Popoviq.
"Kërkesat janë bërë për të konstatuar nëse ekzistojnë elemente të veprës penale të rrëmbimit", thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Lartë Publike në Beograd.
Popoviq u ndalua më 18 korrik në Kosovë pasi, sipas autoriteteve në Kosovë, gjatë një fjalimi në Hoqë të Madhe, ai e ka cilësuar Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës si “organizatë terroriste” dhe i ka krahasuar veprimet e saj me ngjarje të rënda ndërkombëtare.
Pas këtij fjalimi në Rahovec ai u ndalua në pikën kufitare në Bërnjak dhe u dërgua në mbajtje policore.
Gjykata Themelore në Prishtinë ia ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji.
Ai dyshohet në Kosovë për veprën penale “nxitje e përçarjes dhe mosdurimit”.
Avokati i tij, Lubomir Pantoviq, tha se mbrojtja do ta apelojë këtë vendim të Themelores.
“Është pranuar kërkesa e prokurorisë, në të cilën pretendohet se Igor Popoviq ka nxitur përçarje dhe urrejtje në fjalimin që e mbajti para dy ditësh”, tha Pantoviq.
Pas ndalimit të Popoviqit, më 18 korrik ministri në detyrë i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, deklaroi seKosova, si shtet demokratik dhe sovran, nuk do të tolerojë fyerje dhe përdhosje të historisë e çka më pak të luftës së udhëhequr nga UÇK-ja.
“Kjo pjesë e historisë gëzon respektin e të gjithë botës përparimtare”, u shpreh ai.
Pas caktimit të paraburgimit prej një muaji kanë reaguar zyrtarë serbë në Beograd dhe Lista Serbe.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se Beogradi zyrtar i ka njoftuar të gjithë partnerët ndërkombëtarë për caktimin e paraburgimit ndaj Igor Popoviqit, duke shtuar se “kjo mund të ketë pasoja të paparashikueshme”.
“Arrestimi i fundit i Igor Popoviqit tregon se Albin Kurti e ka humbur arsyen dhe se dëshiron të shkaktojë incidente dhe konflikte në Ballkanin Perëndimor”, tha Vuçiq gjatë një interviste në televizionin Pink në Beograd.
Ai theksoi se do të përpiqet të ruajë paqen dhe stabilitetin, por paralajmëroi se do të reagojë “në mënyrë të ashpër dhe të fuqishme, sepse ky terror duhet të ndalet në një moment”.
UÇK-ja ishte forcë politiko–ushtarake e cila ka luftuar për çlirimin e Kosovës nga sundimi serb në periudhën 1990-1999.
Kategoritë e dala nga lufta, Organizata e Veteranëve të UÇK-së (OVL-UÇK), Shoqata e Invalidëve të Luftës dhe Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve kanë reaguar ashpër ndaj, siç kanë thënë, pranisë së ndihmësit të Petar Petkoviqit në Kosovë.
Ato, po ashtu, kanë thënë se “çdo tentativë për të provokuar, për të njollosur UÇK-në dhe për të përdorur territorin e Kosovës për propagandë antikombëtare është e papranueshme dhe duhet ndalur me vendosmëri”.
Gjatë luftës në Kosovë më 1998-99 janë vrarë më shumë se 13.000 civilë, ndërsa mijëra të tjerë janë zhdukur.
Rreth 1.600 persona, kryesisht shqiptarë, nuk janë gjetur ende.
Ndër vite, autoritetet e drejtësisë në Kosovë kanë akuzuar ose dënuar disa persona për krime lufte. /REL