Rikonfirmohet thellimi i bashkëpunimit ndërmjet ushtrive Kosovë - Shqipëri
Në kuadër të bashkëpunimit ushtarak ndërmjet Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) dhe Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë (FARSH), një delegacion nga Komanda e Logjistikës së FSK-së, i kryesuar nga zëvendëskomandanti i KL-së, kolonel Mehmet Lladrovci, realizoi një vizitë zyrtare pranë Komandës Mbështetëse dhe strukturave vartëse të saj në FARSH.
Forca e Sigurisë së Kosovës, njofton se gjatë kësaj vizite u zhvilluan takime në fushën logjistike, ku u pritën nga komandanti i Komandës Mbështetëse, gjeneral Brigade Aleksandër Pando dhe stafi i tij dhe në fushën shëndetësore, ku u pritën nga zëvendëskomandanti i Komandës së Forcave Tokësore, gjeneral Brigade Vehbije Kuti dhe ushtruesi i detyrës së drejtorit të Inspektoratit Shëndetësor të FARSH-it, nënkolonel Marinela Mjeda.
"Në kuadër të këtyre takimeve, delegacioni nga FSK-ja u informua në detaje rreth strukturës, kapaciteteve logjistike dhe atyre shëndetësore të FARSH-it, si dhe biseduan për mundësitë e bashkëpunimit dhe shkëmbimin e përvojave, duke rikonfirmuar përkushtimin për të thelluar bashkëpunimin ndërmjet dy ushtrive", njofton FSK-ja.