Përfundon me sukses operacioni i shpëtimit në Kanionin e Mirushës

Shërbimi i Kërkim-Shpëtimit Malor i Kosovës (ShKShMK) ka njoftuar se ka përfunduar me sukses operacioni i ndërmarrë në Kanionin e Mirushës, pas raportimeve për një person të lënduar në atë zonë.

Sipas njoftimit zyrtar, ekipet e shpëtimit kanë arritur ta lokalizojnë dhe ndihmojnë personin e lënduar, duke i ofruar ndihmën e parë në vendngjarje dhe më pas duke e evakuuar me sukses te ekipet mjekësore.

“Operacioni Mirusha ka përfunduar me sukses, personit të lënduar i është dhënë ndihma e parë duke e evakuuar dhe dorëzuar te ekipet mjekësore”, thuhet në njoftimin e SHKShMK-së.

Rasti kishte ndodhur më herët gjatë ditës, kur autoritetet ishin njoftuar për lëndimin e një personi në këtë zonë të njohur për vështirësitë gjeografike dhe natyrën e rrezikshme për vizitorët.