Nesër seanca e 50-të konstituive
Nesër nga ora 11:00 shënohet seanca e 50-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.
Legjislatura e nëntë e kuvendit nisi me probleme që në start, pasi deputetët nuk votonin për disa seanca raportin e Komisionit të përkohshëm për verifikimin e mandateve.
Komisioni për verifikimin e mandateve, Lëvizja Vetëvendosje pati propozuar Albulena Haxhiun si kandidate për kryetare të kuvendit, e të cilën në votim të hapur e provoi në disa seanca por që s’arriti t’i mblidhte votat e nevojshme, pasi në sallë numrin maksimal të votave i pati 57.
Kryesuesi i seancës konstituive, deputeti më i vjetër, Avni Dehari, e ndërroi mënyrën e votimit nga në të hapur në të fshehtë, duke e propozuar formimin e Komisionit për Votim të Fshehtë.
Propozimi i Deharit për Komision për Votim të Fshehtë nuk i mori votat e nevojshme që të kalohej në këtë procedurë, shkruan Klankosova.tv.
Ndërsa më 12 maj, deputetja e betuar e AAK-së, Time Kadrijaj, e pati dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese çështjen e insistimit të kalimit në votim të fshehtë.
Tri ditë më vonë, pra më 15 maj, presidentja e vendit, Vjosa Osmani, i pati ftuar në takim liderët e partive politike, Albin Kurtin nga VV, Memli Krasniqin nga PDK, Lumir Abdixhikun nga LDK e Ramush Haradinajn nga AAK për të gjetur një zgjidhje për të dalë nga ngërçi, por ky takim kishte rezultuar i pasuksesshëm, shkruan Klankosova.tv.
Derisa seancat e dështuara mbaheshin çdo 48 orë, numërimi mbrapsht për 120 deputetët e Kuvendit të Kosovës pati nisur të enjten e 26 qershorit, kur Gjykata Kushtetuese doli me aktvendim duke thënë se legjislatura e nëntë e Kuvendit të Kosovës duhet të konstituohet brenda 30 ditësh, që duke llogaritur nga nesër, 21 korrik, deputetët kanë kohë vetëm edhe 5 ditë për konstituim.
Partitë opozitare kishin cilësuar se sipas Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, propozimi për Komisionin për Votim të Fshehtë ishte jokushtetues, e krejt ndryshe thoshte Lëvizja Vetëvendosje.
Pas aktgjykimit, e para e shtetit i pati ftuar liderët e partive politike në takimin e dytë, për të gjetur një rrugëdalje nga ngërçi i krijuar për muaj të tërë, por që njëjtë si i pari, edhe ai kishte rezultuar me kohë të humbur e pa zgjidhje.
Pa zgjidhje të ngërçit, seancat konstituive patën vazhduar edhe më tej, e të cilat jo rrallë zgjasnin jo më shumë se 2-3 minuta, pasi Lëvizja Vetëvendosje s’i kishte votat e mjaftueshme për votim të fshehtë.
Së fundi, përkatësisht dje, kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe ai i Nismës, Fatmir Limaj, mbajtën një takim kokë me kokë në një nga restorantet në kryeqytet.
As njëri e as tjetri s’e kanë thënë ende asnjë fjalë për atë se çka u bisedua në tavolinë, por që Klan Kosova ka marrë vesh se Kurti e Limaj pritet të takohen sërish në mënyrë që ta arrijnë një marrëveshje për rrugën përpara. /klankosova