Njohësi i sigurisë: Kosova e rrezikuar, na duhet mbështetja ndërkombëtare
Kosova vazhdon të mbetet e ekspozuar rreziqeve të sigurisë, vlerësoi njohësi i fushës së sigurisë, Bedri Elezi.
Ai tha se lëvizjet e ushtrisë serbe pranë kufirit janë shqetësuese dhe përbëjnë kërcënim serioz.
“Realisht, SHBA-ja e ka deklaruar, partnerët e saj, NATO-ja e BE-ja po ashtu e kanë deklaruar në vazhdimësi se Kosova mbetet e ekspozuar para një situate të rëndë sigurie. Ka konstatime ndërkombëtare për lëvizje apo vendosje të ushtrisë serbe afër kufijve të Kosovës qe një kohë të gjatë. Ka baza, të cilat duke parë në aspektin e shtrirjes horizontale të ushtrisë nuk duhet të jenë në ato zona të caktuara, sidomos kur merren parasysh situatat politike apo rreziqet që mund të bartin vendet për shkak të mospërmbylljes së marrëdhënieve të dy shteteve”, tha Elezi.
Ai vlerëson se pavarësisht nga mungesa e deklaratave publike, SHBA-ja mbetet aktive në mbështetje të Kosovës dhe ka ndërmarrë hapa konkretë për të parandaluar përshkallëzimin e situatës.
“Kosova mbetet e rrezikuar akoma, por nuk ka ndonjë rrezik konkret për shkak të angazhimit që ka SHBA-ja dhe presidenti Trump. Për shkak të gabimeve tona të vazhdueshme SHBA-ja nuk ka një besim që të ndajë informacione të rëndësishme ose çështje që lidhen me sigurinë e Kosovës, por SHBA-ja kryen veprime konkrete për të parandaluar edhe luftën, siç e tha presidenti Trump”, shtoi ai.
Elezaj vlerësoi organizimin e strukturave të sigurisë në Kosovë, por nënvizoi se përballja me Serbinë kërkon patjetër përkrahje ndërkombëtare.
“Kosova ka organizuar mirë strukturat e saj të sigurisë, duke filluar nga FSK-ja, Policia e Kosovës dhe strukturat e tjera. Por, një gjë duhet ta kemi parasysh: është e vështirë të përballemi me Serbinë, duke u bazuar në kapacitet ushtarake që kemi. Na duhet mbështetja ndërkombëtare”, tha për EO, Elezi.
Sulmi i armatosur nga një grup paramilitar serb në Banjskë, më 24 shtator 2023, që rezultoi me vrasjen e një rreshteri të Policisë së Kosovës, i cilësuar si një nga incidentet më serioze të sigurisë në rajon pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, vazhdon të ngjallë shqetësime në qarqet e sigurisë dhe ato politike, si në Kosovë, ashtu edhe ato ndërkombëtare.