Fermerët ankohen për çmimin me të cilin u duhet ta shesin grurin
Ka 20 vjet që kultivon grurë.
E këtë sezonë, ka mbjellur plot 12 hektarë.
Është ky fermeri nga Mitrovica, Kadri Sylejmani, i cili pret që korrja këtë vit do të jetë e mirë.
Por jo edhe çmimi me të cilin i duhet ta shes.
“Çmimi është shumë i dobët në krahasim me cilësinë që është t’u dalë, është çmimi i ulët. Nuk ia vlen për këtë çmim me punu”, thotë ai.
Se cilësia e grurit do të jetë e mirë këtë vit e thotë edhe drejtori Ekzekutiv i Shoqatës së Mullistëve të Kosovës, Muhamet Farizi.
“Në krahasim me çdo vit, edhe cilësia është më e mire për 20-30%, por edhe rendiment i është shumë më i lartë….Sasia pritet me qenë, në krahasim me vitin e kaluar, 48-50% më e lartë”, shprehet Farizi.
Mirëpo, sipas Farizit, çmimi përcaktohet nga vetë fermerët.
“Secili e llogarit vetveten, mirëpo kanë çmim të ulët për shkak të konkurrencës që është mes vete, se s’kanë ku me e shitë”, ka thënë ai.
Në anën tjetër, profesori i Bujqësisë, Ismet Rusinovci thotë se çmimet e ulta dekurajojnë fermerët.
Për këtë, sipas tij, shteti u duhet t’ua bëjë atyre një zgjidhje.
“Kjo është politikë demotivuese, dekurajuese që nuk i stimulon shumë fermerët, dhe kjo është arsyeja kryesore që shteti, përkatësisht dikasteri përkatës, duhet ta ketë parasysh gjithmonë prodhimin strategjik, siç është gruri, i cili nuk kurorëzohet me efekte të larta pozitive financiare” vlerëson ai.
Për të marrë një qëndrim, Tëvë1 i është drejtuar edhe Ministrisë së Bujqësisë, por të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje.