Kadrijaj: Nëse Kuvendi s’konstituohet deri më 26 korrik, Kurtit duhet t’i mohohet e drejta e kandidimit

Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, ka ironizuar me kryeministrin në detyrë Albin Kurti, duke thënë se Greqia ishte i vetmi vend me të cilin qeveria e tij ka pasur marrëdhënie të mira gjatë dy mandateve të tij.

“Është lajm i gëzuar për gjithë ne që u kthye deputeti Albin Kurti prej Greqisë. Sepse ka qenë vendi i vetëm ku për dy mandatet e qeverisjes së Albin Kurtit ka pasur raporte të mira”, tha Kadrijaj nga foltorja e Kuvendit, pas dështimit të tentimit të 49-të për konstituimin e tij.

Ajo u ndal edhe te vendimi i Gjykatës Supreme, duke kritikuar ata që sipas saj po shkelin kushtetutën dhe ligjet.

“Gjykata Supreme e ka thënë qartë, dhe me një vendim ka qartësua saktë njerëzve që po e shkelin ligjin, kushtetutën, që nuk kanë të drejtë të marrin as një vendim. Ndërsa Kurti po mburret me qeverisje dy plus. Jo s’është qeverisje 2+, i ke uzurpuar institucionet, e ke uzurpuar Kuvendin e Kosovës, e ke uzurpuar Qeverinë e Kosovës”, u shpreh Kadrijaj.

Deputetja foli edhe për vendimin e Gjyaktës Kushtetuese, e cila theksoi se nëse deri më 26 korrik nuk konstituohet Kuvendit, atëherë, Kurtit duhet t’i mohohet e drejta e kandidimit.

“Saktë Gjykata Kushtetuese e ka thënë, e ke të drejtën e nominimit të kandidatit për kryeparlamentar, po nuk e ke të drejtën e bllokimit të institucioneve. Nuk e ke të drejtën e bllokimit të Kuvendit të Kosovës. Andaj, pa dashur të interferojmë në vendimin e Gjykatës Kushtetuese, kësaj sage duhet t’i jepet fund me një vendim tjetër kur pas një muaji këtij deputeti (Albin Kurtit), i merret e drejta e kandidimit nëse deri me datën 26 nuk e konstituon Kuvendin. Albin Kurti ka kohë sepse e shihni ju deputetë, tash shkon në Qeveri, merr vendime edhe po e kritikojnë edhe gjyqësorin sepse nuk po ju shkon për shtati me qëllimet e këtij diktatori”, theksoi Kadrijaj. /Zëri