Shefi i Astronomer pezullohet pas videos virale në koncertin e Coldplay

Kompania teknologjike Astronomer ka njoftuar se CEO-ja i saj, Andy Byron, është pezulluar nga detyra pasi një video nga një koncert i Coldplay, ku ai shihet duke përqafuar një punonjëse, u bë virale në rrjetet sociale.

Në deklaratën e publikuar të premten mbrëma, njoftohet se bashkëthemeluesi dhe drejtori i produkteve, Pete DeJoy, është emëruar si CEO i përkohshëm, raporton CNN.

Ngjarja ndodhi në koncertin e Coldplay në Gillette Stadium në Massachusetts, ku Byron u filmua në ekranin gjigant (Jumbotron) duke përqafuar Kristin Cabot, drejtoreshën e burimeve njerëzore të kompanisë.

Sapo u shfaqën në ekranin gjigant, dyshja u duk se u ndjenë në siklet dhe u përpoqën të fshihnin fytyrat. Chris Martin, këngëtari i grupit Coldplay, tha me humor: “Wow, shikoni këta të dy – ose po kanë një lidhje të fshehtë, ose janë thjesht shumë të turpshëm.”

Pas kësaj, videoja u shpërnda gjerësisht në rrjetet sociale dhe përdoruesit nisën të identifikonin personat në video. Shumë meme dhe video komike u krijuan për këtë rast.

Astronomer, me seli në Nju Jork, publikoi një deklaratë në LinkedIn. “Liderët tanë pritet të jenë shembull si në sjellje ashtu edhe në përgjegjësi.”

Ata njoftuan gjithashtu se bordi drejtues ka nisur një hetim zyrtar për këtë çështje.

Deklarata po ashtu sqaroi disa informacione të pasakta që qarkullonin në internet, përfshirë identifikimin e gabuar të një personi të tretë në video dhe një llogari parodike në platformën X që kishte postuar një deklaratë të rreme në emër të CEO-së. /rtk