Në Beograd paraqitej si bamirës, në Berlin sipërmarrës ndërtimi – pesë vjet burg për biznesmenin serb
Një sipërmarrës ndërtimi nga Berlini me origjinë nga Serbia u dënua me pesë vjet heqje lirie për evazion fiskal me vlerë miliona dollarë. Në Serbi ai paraqitej si bamirës.
Si drejtor de facto i një kompanie ndërtimi, serbi i dënuar shkaktoi dëme prej gati 15 milionë eurosh përmes punës së paligjshme, tha kryetarja e trupit gjykues Christine Klimke gjatë leximit të vendimit në Gjykatën Rajonale të Berlinit të enjten, më 17 korrik.
53-vjeçari (emri i të cilit, madje as inicialet e tij, nuk përmenden në median gjermane) është mbështetur në punën e paligjshme që nga themelimi i kompanisë së ndërtimit.
Edhe pse kjo është e përhapur në industrinë e ndërtimit në Gjermani, nuk mund të thuhet se ai "e ka bërë këtë rastësisht", tha Klimke.
Që në fillim, qëllimi i tij ishte të transferonte sa më shumë para të ishte e mundur në atdheun e tij, në Serbi dhe të paraqitej atje si bamirës, shpjegoi gjyqtarja, duke shtuar se kompania paguante pagat e punëtorëve në para të gatshme dhe nuk i raportonte ato tek autoritetet kompetente.
Pasuritë me vlerë mbi 20 milionë u konfiskuan
Për të shpjeguar rrjedhjen e parave, janë lëshuar fatura fiktive përmes nënkontraktorëve. Një punonjës nga zyra e e këtij personi u dënua me njëmbëdhjetë muaj burgim me kusht - ndër të tjera për falsifikim dokumentesh. Djali i tij, i cili gjithashtu punonte për kompaninë, u dënua me paralajmërim.
Përveç kësaj, gjykata urdhëroi gjithashtu konfiskimin e afërsisht shtatë milionë eurove të aseteve nga i pandehuri kryesor dhe 14 milionë euro nga kompania e ndërtimit.
Abuzime serioze në hetim
Në të njëjtën kohë, gjyqtarja kritikoi hetuesit. U zbuluan abuzime serioze, disa prej të cilave ishin qartësisht sistematike dhe shkelnin rregullat themelore procedurale, tha ajo.
Administrata e Përgjithshme e Doganave, në kundërshtim me rregullat, analizoi korrespondencën midis të pandehurit dhe avokatit të tij. Kishte gjithashtu mangësi në menaxhimin e dosjeve dhe shkelje të mundshme të detyrës zyrtare nga punonjësit.
"Përfaqësuesit e shtetit duhet të ndjekin rregullat", përfundoi gjyqtarja kryesuese, Kristin Klimke. /DW