Izraeli dhe Siria bien dakord për armëpushim
Izraeli dhe Siria kanë rënë dakord për një armëpushim, njoftoi përfaqësuesi amerikan në Turqi, Tom Barrack, të premten.
Barrack theksoi se marrëveshja është mbështetur nga Turqia, Jordania dhe fqinjë të tjerë.
“Ne i bëjmë thirrje drusëve, beduinëve dhe sunitëve që të hedhin armët dhe së bashku me minoritetet e tjera të ndërtojnë një identitet të ri dhe të bashkuar sirian”, tha ai.
Nuk pati reagime të menjëhershme nga pala izraelite apo ajo siriane.
Ky armëpushim vjen pas sulmeve ajrore izraelite që nisën të mërkurën në Damask dhe jug të Sirisë, për të “mbrojtur druzët sirianë”, një pakicë arabe e rëndësishme në rajon.
Forcat siriane janë tërhequr nga Suwayda, pjesërisht e përfshirë në përplasje midis milicive druse dhe beduine. Tensionet shkaktuan më shumë se 300 viktima e të zhvendosur ndërsa u përjetua një valë dhune dhe destabilizimi.
Një zyrtar izraelit tha të premten se “Izraeli ka rënë dakord që të lejojë hyrjen e kufizuar të forcave siriane të brendshme në distriktin Suwayda për 48 orët e ardhshme”.
Përmes një deklarate, presidenca siriane tha se do vendosë një forcë në jug për të “ndalur përplasjet”, duke e mbyllur dhunën në një fazë të re, në koordinim me masa politike dhe sigurie për stabilitetin afatgjatë.
Ndërkohë, sekretari i Shtetit amerikan, Marco Rubio, dhe ministri turk i Jashtëm, Hakan Fidan, janë angazhuar në negociata intensive për paqe dhe stabilitet në rajon. /rtk