Liverpooli e përjetëson Diogo Jotan me një homazh prekës online

Në një gjest prekës, Liverpooli ka hapur një seksion të veçantë në faqen zyrtare të klubit, për të nderuar Diogo Jotën pas vdekjes tragjike të tij.

Jota humbi jetën më 3 korrik, së bashku me vëllain e tij, Andre Silvën, pas një aksidenti fatal automobilistik në Spanjën veriore.

Sulmuesi 28-vjeçar kishte vetëm pak kohë që kishte kurorëzuar dashurinë e tij të fëmijërisë në një martesë në Portugali, pas një sezoni të suksesshëm me Liverpoolin dhe kombëtaren.

Pas kësaj humbjeje të rëndë, klubi anglez vendosi të tërheqë fanellën me numrin 20 – një vendim i marrë në bashkëpunim të plotë me familjen dhe bashkëshorten e Jotës.

Por Liverpooli shkoi edhe më tej. Në faqen zyrtare të klubit, në seksionin ku listohen lojtarët e skuadrës së parë, emri i Diogo Jotës mbetet aty – i përjetësuar nën mbishkrimin simbolik “përgjithmonë”.

Klikimi në profilin e tij tashmë të shndërruar në homazh, të çon te një mesazh i ndjerë për sulmuesin që shkroi historinë me fanellën e kuqe.

Homazhi mbyllet me një premtim të qartë dhe emocional: “Ai do të jetë gjithmonë numri ynë 20”.