Afrohet afati i gjykatës për konstituimin e Kuvendit, Limaj në takim te Osmani

Presidentja Vjosa Osmani ka pritur në takim sot në Presidencë kryetarin e Nismës, Fatmir Limaj.

Presidenca tha se ky takim u zhvillua në kuadër të konsultimeve me subjektet politike parlamentare për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.

“Ky takim vjen në prag të përfundimit të afatit kushtetues të përcaktuar me Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese në rastin KO124/25, i cili obligon deputetët që të konstituojnë Kuvendin brenda 30 ditëve, konkretisht deri më 26 korrik”, thuhet në njoftim.

Presidenca tha se Osmani në takim ka theksuar se “zbatimi i këtij aktgjykimi është detyrim i qartë kushtetues dhe potencoi rëndësinë që të gjithë përfaqësuesit e qytetarëve të veprojnë në frymën e bashkëpunimit dhe mirëbesimit, me qëllim të arritjes së një zgjidhjeje sa më të shpejtë për konstituimin e Kuvendit, në interes të qytetarëve dhe funksionimit demokratik të shtetit”.

Partia e Limajt ka tri ulëse në Kuvend, ndërsa qe një kohë është përfolur për një bashkëpunim të mundshëm me partinë e parë, Vetëvendosje.

Një arritje të marrëveshjes mes këtyre dy subjekteve e ka paralajmëruar bashkëpartiakja e Limajt, Xhevahire Izmaku, e cila dje deklaroi se Limaj dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, do ta arrijnë një marrëveshje në fundjavë.

Ajo mohoi se Nisma ka hequr dorë nga ambicia për postin e kryeparlamentarit, një kërkesë e Nismës që mbajti peng tash e sa kohë një bashkëpunim të mundshëm me partinë e Kurtit, e cila refuzoi ta japë këtë pozitë që e ka rezervuar për Albulena Haxhiun.

“Jo, absolutisht, ne jemi në atë diagonale të bisedimeve me çështjen që zoti Limaj të jetë në krye të Kuvendit dhe të presim në fundjavë që të ketë një epilog pozitiv të bisedimeve”, tha Izmaku.