Gjykata liron katër të akuzuarit për fajde, gjykatësi kishte marrë vërejtje publike për zvarritje të lëndës
Katër të akuzuarit, Enver Abdullahu, Rrahim Sallahu, Fatlum Abazi dhe Bujar Abdullahu, janë shpallur të pafajshëm nga Gjykata Themelore në Prishtinë lidhur me akuzat për fajde.
“Të akuzuarit Enver Abdullahu, Rrahim Sallahu, Fatlum Abazi dhe Bujar Abdullahu lirohen nga akuza për veprat penale për të cilat janë akuzuar”, tha kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Naser Foniqi, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Gjykatësi Foniq me rastin e shpalljes së aktgjykimi dha edhe arsyetim lidhur me vendimmarrjen e gjykatës.
“Trupi gjykues ka vlerësuar dëshmitë e të dëmtuarve dëshmitarëve dhe provave materiale, gjatë shqyrtimit gjyqësor, i dëmtuari Kushtim Musliu në tërësi ka deklaruar se ai nga të akuzuarit nuk ka pranuar fajde, por ka marrë hua, borxhe se i ka pasë të njëjtit shokë dhe njërin prej tyre edhe mik. Dhe, ka thënë se në Polici ka deklaruar ashtu siç ka deklaruar për shkak se ka qenë në gjendje të rëndë për shkak të detyrimeve që ka pasur, të dëmtuarit gjatë procedurës janë deklaruar se i dëmtuari Behxhet ka thënë se edhe ai sa i përket më duket të akuzuarit Sallahu ka thanë se ai jo që nuk ka marrë para i ka dhanë para me fajde por përkundrazi i ka ndihmuar për të dal nga situata dhe i ka detyrime edhe tani dhe po ashtu i njëjti nuk ka kërkuar kompensim dëmi nëse të akuzuarit lirohen nga akuza, ku është arsyetimi i gjykatës dhe një arsyetim më të plotë besoj do ta marrni brenda afatit ligjor”, tha gjykatësi Foniqi.
Prezent në shpallje të aktgjykimit nuk ishte askush nga Prokuroria Themelore ndërkaq prezent ishin i akuzuari Rrahim Sallahu me avokatin e tij Hasan Jashari si dhe i akuzuari Bujar Abdullahu me avokatin e tij Florent Latifaj.
Gjykatësi Foniqi gjithashtu njoftoi palët për të drejtën e ankesës palët e pakënaqura pasi që vendimin e gjykatës ta marrin në formë të shkruar.
Lidhur me këtë rast del se gjyqtari i çështjes, Naser Foniqi ta ketë pranuar për gjykim këtë lëndë më 10 korrik 2017 dhe se deri në ditë e shpalljes së vendimit del të kenë kaluar 8 vjet, ose 2930 ditë.
Të mbyllura për publikun kishin qenë edhe seancat e mbajtura më 1 dhjetor 2023, 5 shkurt 2024, 14 mars 2024, 17 prill 2024, 6 qershor 2024 dhe 20 maj 2025, si dhe me 15 korrik 2025.
“Betimi për Drejtësi” në hulumtimin me titull “ Gjykatësi “fle” mbi lëndën e fajdesë”, i cili ishte transmetuar më 26 nëntor 2022, kishte treguar se gjykatësi Naseri Foniqi që nga 2 shkurti i vitit 2018, nuk kishte caktuar asnjë seancë në rastin e fajdesë e ku kishin kaluar afërsisht 5 vite.
Pas katër ditësh kur ishte transmetuar ky hulumtim, kryetarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Albina Shabani- Rama, më 30 nëntor 2022 kishte paraqitur kërkesë në KGjK për fillimin e hetimit disiplinor ndaj Foniqit, me pretendimin se i njëjti ka kryer shkelje disiplinore. Këshilli mori vendim për shqiptimin e vërejtjes publike me shkrim ndaj gjyqtarit Naser Foniqi.
Sipas vendimin të KGJK-së, të nxjerrë më 31 gusht 2023, gjyqtari Naser Foniqi lëndën në fjalë e kishte pranuar më 10 korrik 2017, seancën e parë e kishte caktuar më 13 shtator 2017, 6 nëntor 2017 dhe 5 shkurt 20118 dhe se nga kjo datë deri më 16 nëntor 2022 nuk kishte ndërmarrë asnjë veprim tjetër lidhur me rastin.
Vendimin e KGjK-së, Foniqi e kishte atakuar në Gjykatën Supreme, me arsyetimin se vendimi i KGjK-së është përfshirë me aplikim të gabuar të ligjit dhe gabimeve faktike. I njëjti kishte kërkuar nga Gjykata Supreme ta aprovojë ankesën e tij dhe ta ndryshojë vendimin e KGjK-së duke konstatuar se nuk është përgjegjës për shkeljen që i ngarkohet.
Por, Supremja më 19 tetor 2023 ka marrë vendim me të cilin ka refuzuar si të pathemeltë ankesën e gjyqtarit Naser Foniqi, duke e vërtetuar vendimin e KGJK-së.
Gjyqtari rastin e kishte dërguar edhe në Gjykatën Kushtetuese. Kjo e fundit kishte marrë vendim, me të cilin e deklaroi si të papranueshme kërkesën e tij të paraqitur pas vendimit të Gjykatës Supreme, e cila ia kishte refuzuar ankesën e tij ndaj vendimit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, për shqiptimin e vërejtjes publike me shkrim për zvarritje të lëndës së fajdesë.
Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë në prill të 2016-ës, ka ngritur aktakuzë kundër Enver Avdullahut, Rrahim Sallahut, Fatlum Abazit dhe Bujar Avdullahut, nën dyshimin se duke shfrytëzuar pozitën materiale të të dëmtuarit Kushtrim Musliu, gjatë periudhës 2011-2015, i kishin dhënë atij borxh shuma të ndryshme të parave dhe mjete motorike, në të cilat shuma kishin llogaritur dhe marrë fajde. Këto fajde, sipas aktakuzës, në borxhin që i dëmtuari e ka marrë, i janë llogaritur në shuma javore, mujore, të cilat sipas aktakuzës, disa herë kishin kaluar shumën e parave të marra borxh.
Me këtë, Enver Avdullahu, Rrahim Sallahu dhe Fatlum Abazi po akuzohen se kanë kryer veprën penale të “Fajdesë” nga Neni 343, paragrafi 3, lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal, vepër kjo ku kryerësi dënohet me gjobë dhe me burgim prej tre (3) deri në dymbëdhjetë (12) vjet.
Kurse, Enver Avdullahu dhe Bujar Avdullahu po akuzohen se kanë kryer veprën penale “Fajde” nga Neni 343, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 dhe Nenin 31 të Kodit Penal, vepër kjo e dënueshme me gjobë dhe me burgim prej një (1) deri në tetë (8) vjet.