Të dyshuarit e agjencive shtetërore para Gjykatës, pritet masa e paraburgimit

Sot po mbahet seanca dëgjimore ndaj të arrestuarve tek Agjencia e Kadastrave dhe Arkivit të Kosovës.

Në këtë seancë pritet të caktohet masa e paraburgimit ndaj katër të dyshuarve.

Aksioni i së mërkurës në agjencitë shtetërore kishte të bënte me rastin e arrestimit të avokatit Venhar Hana, i cili u prangos më 11 qershor për falsifikim dhe mashtrim.

Për këtë u deklarua edhe Prokuroria Themelore e Prishtinës, përmes zëdhënëses Kaltrina Shala.

Shala tha për Klankosova.tv se aksioni në fjalë po zhvillohet në Agjencinë e Arkivave dhe atë Kadastral dhe lidhet me veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

“Lidhur me pyetjen tuaj, ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Prishtinë në koordinim dhe bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës, sipas urdhëresës nga Gjykata, ka marrë aksion për bastisje dhe kontroll në Institucionin e Arkivit dhe Institucionin Kadastral të Republikës së Kosovës për veprën penale ‘Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’, nga Neni 414 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, deklaroi ajo të mërkurën.