Protestoi para Kuvendit, veterani i UÇK-së: Qeveria në detyrë s’ka bërë gjë për vlerat e luftës

Veterani i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Lulzim Prokshi, ka protestuar në heshtje të enjten para Kuvendit, pak para nisjes së seancës së 48-të konstituive.

Prokshi dha më shumë detaje pse zgjodhi ditën e djeshme të dilte dhe të protestonte.

“Protestën e kam filluar vet, për shkak se nëse kishte me qenë një grup më i madh, këta po thonë se po organizon X partia. S’kam bërë bisedë më kurrkënd, por me kë kam biseduar kanë dashur të bashkohen, por dje kam dashur vet në heshtje”, u shpreh Prokshi.

Ai shpreh shpresën që të formohet një qeveri e mirëfilltë, pasi të konstituohet Kuvendi i Kosovës.

Derisa ai flet edhe për qeverinë në detyrë.

“Kemi 20 mijë gra e burra të dhunuar gjatë luftës në Kosovë. S’është bërë gjë për këtë kategori. Kjo qeveri që ke deri tani, kjo për vlerat e luftës nuk ka bërë kurrgjë”, u shpreh Prokshi në Klan Kosova.

Po ashtu, ish-luftëtari i UÇK-së thotë se e ndjejnë të obligueshme të dalin e të ngrisin zjarrin si gjeneratë më e vjetër, pasi sipas tij, ata nuk ua mundësuan kushtet e duhura rinisë.

Tutje, Prokshi tha se ndjehet krenar me Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe Policinë e Kosovës.

Derisa për Gjykatën Speciale në Hagë, ai tha se ish-krerët e UÇK-së e bashkëluftëtarët e tij po mbahen padrejtësisht atje.