“E mora armën kur shteti nuk ma mbrojti familjen” – Rrëfimi i 18-vjeçarit që plagosi dy persona pasi ia rrahën babain
Një 18-vjeçar i dënuar me 2 vjet e gjysmë burgim për plagosje të dyfishtë me armë zjarri rrëfen se e kreu veprën pasi fqinjët ia kishin rrahur babain me trauma lufte dhe Policia nuk kishte reaguar pavarësisht kërkesave për mbrojtje.
Në një intervistë nga brenda Qendrës Korrektuese në Lipjan, një 18-vjeçar i dënuar për plagosje të dyfishtë me armë zjarri rrëfen për Dukagjinin për herë të parë ngjarjen që i ndryshoi jetën. I riu pretendon se Policia nuk ndërmori masa për mbrojtjen e familjes së tij, ndonëse kishin kërkuar urdhër mbrojtjeje pas sulmit.
Disa ditë më pas, ai hasi njërin nga të përfshirët në rrahjen e babait dhe në gjaknxehtësi e sipër e qëlloi me armë zjarri, duke plagosur dy persona.“Me të thanë të drejtën unë babën e kam veteran të luftës, edhe është i sëmuërë prej luftës me trauma edhe ka prbl shëndetësore, edhe kanjëherë nuk është vetvetja por nuk është i dhunshëm, as sen por fol vet me vete me zë të lartë. Edhe u kanë tu u lëshu poshtë mahalles tu shku për spital edhe aty ka ndodh konflikti kojshija ka dalë i ka thanë pse po më shanë para shtëpisë anej knej, ka ndodh konflikti ku ai bashkë me djalin e tij ma kanë godit babën me shufër metalike…”
“Kjo ka zgjatë 10 ditë se jemi shku jemi anku në Polici anej kemi lyp vetmbrojtje a pe din urdhëmbrotje nuk ma kanë jep urdhërin e mbrojtjes…”
“Sdi unë e kam pasur gjakun e nxehtë edhe mu ka dokë se është duke më kesh si për inati e kam nxjerr revolen e kam gju e kam plagosur… Sa pluma i ke gju? Tash një plumb e kam gju një herë, ai ka hy në kerr e kam gju edhe një një xham… a është plagos? Po. kam ik nga vendi ngajrjes”, ka rrëfyer 18-vjeçari për Dukagjinin.
Për këtë vepër penale, ai u dënua me dy vjet e gjysmë burgim. Megjithëse thotë se nuk ka qenë problematik, veprimi i tij i vetëm i dhunshëm i ka kushtuar rëndë.
“Kam mësu që duhet me mendu dy herë para se me bo një send, duhet me menu gjatë, mos me pa deri te huna po me pa ma larg…”.