Komunat thanë se s’u njoftuan nga qeveria për bllokim të xhirollogarive, MF-ja e thotë të kundërtën

Komunës së Ferizajt, Lipjanit, Vushtrrisë e Drenasit u janë bllokuar llogaritë bankare.

Krejt kjo ka ndodhur për shkak të kontratave kolektive, për të cilin problem po thuhet se niveli qendror nuk po bashkëpunon me atë lokal.

Klan Kosova raportoi për këtë problematikë dy ditë më parë, ndërsa sot (e enjte) ministria e Financave ka kthyer përgjigje për këtë çështje.

Sipas MF-së, organizatat buxhetore, përfshirë komunat, nuk mbajnë llogari të veçanta bankare.

Kjo pasi sipas nenit 2.4 të Ligjit Nr. 03/L-048 për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësitë, të gjitha transaksionet realizohen përmes Llogarisë së Vetme të Thesarit.

“Në rastet kur ka vendime të formës së prerë të gjykatave që duhet të ekzekutohen nga buxheti i komunave, Thesari, në përputhje me nenin 40.3 të të njëjtit ligj, pasivizon përkohësisht qasjen e zyrtarëve zotues dhe shpenzues në sistemin SIMFK, deri në përfundimin e procedurës së pagesës. Ky veprim është pjesë e zbatimit ligjor dhe nuk paraqet bllokim të plotë të llogarive”, ka thënë MF-ja në këtë përgjigje për Klanin.

Ndërkaq, kjo ministri thotë se Komunat janë të njoftuara paraprakisht përmes procesit gjyqësor për obligimet financiare që kanë ndaj palëve të treta, si dhe përmes komunikimit të vazhdueshëm nga Thesari në lidhje me ekzekutimin e vendimeve të gjykatave.

Sipas MF-së, vetëm pas përfundimit të ekzekutimit të vendimeve të gjykatave, qasja e organizatës buxhetore në SIMFK riaktivizohet plotësisht.

“Kjo është një procedurë standarde dhe ligjore që zbatohet për të siguruar përmbushjen e detyrimeve buxhetore. Kohëzgjatja e këtij procesi varet nga natyra dhe vlera e obligimit financiar, por në shumicën e rasteve ai përfundon brenda një periudhe të shkurtër, menjëherë pas përmbushjes së detyrimit”, tha Ministria e Financave.

Ndërkaq, Sazan Ibrahimi nga Asociacioni i Komunave të Kosovës, për Klanin pati thënë se kryetarët e komunave të Ferizajt, Lipjanit, Vushtrrisë e Drenasit, janë revoltuar më këtë vendim të qeverisë “pa asnjë paralajmërim”.

Ai tha se përmes përmbaruesve, komunave padrejtësisht po u merren mjetet financiare për zbatimin e kontratave kolektive.

Madje sipas tij, që nga 2022-ta, komunave iu janë marrë mbi 210 milionë euro për arsyen e njëjtë.

Ibrahimi tha se kjo ka shkaktuar kaos te niveli lokal, me të cilin tha se nuk po bashkëpunon ai qendror. /Klankosova