Si u zbulua togeri policor që po bashkëpunonte me BIA-m serbe, detaje nga aksioni
Ishte nisur në vendin e tij të punës në pikën kufitare “Dheu i Bardhë”.
Por orarin nuk arriti ta përfundojë si zakonisht.
Kjo pasi togeri policor, Bojan Jevtiq që punonte si shef i operativës u arrestua paraditen e së enjtes nën dyshimin për spiunazh te BIA serbe.
Në një aksion të përbashkët të Inspektoratit Policor të Kosovës dhe Prokurorisë Speciale, në shtëpinë e të njëjtit u krye edhe bastisje.
“Gjatë bastisjes në shtëpinë e të dyshuarit në një fshat të Kamenicës janë sekuestruar prova materiale siç janë: dokumente konfidenciale të Policisë së Kosovës, disa telefona të mençur, usb, një armë e shkurtër, municion, para të gatshme në vlerë prej 10.000 euro, 2 milionë denarë serbë, 600 franga zvicerane dhe prova tjera të cilat do të ekzaminohen gjatë procedurës hetimore”, u tha në komunikatën e këtyre institucioneve.
Jevtiq u dërgua për intervistim në objektin e IPK-së.
Pas rreth dy orësh, me duar në pranga ai u nxor nga aty për t’u dërguar me vendim të Prokurorit në mbajtje prej 48-orësh.
Për arrestimin ka reaguar edhe ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla i cili tha se kjo konfirmon seriozitetin e profesionalizmin e institucioneve.
“Profesionalizmi, bashkëpunimi dhe bashkërendimi i institucioneve të sigurisë të Republikës së Kosovës edhe ketë here ka treguar se është thelbësor në arritjen e rezultateve në luftën ndaj veprimtarive të kundërligjshme në mënyrë specifike atyre të rrezikshmërisë së lart që shpesh herë burimin e kanë në strukturat e inteligjencës serbe”, tha Sveçla.
Derisa ish-shefi i hetimeve në IPK Jetullah Aliu, shton se arrestime të tilla tregojnë për vigjilencën e organeve të sigurisë.
“Inspektorati Policor apo zyrtarët të cilët punojnë në IPK trajnohen në vazhdimësi nga disa institucione me renome dhe janë të trajnuar për hetimin dhe trajtimin e rasteve ku janë të involvuar zyrtarët policorë. Andaj unë pres që efikasiteti të rritet por edhe profesionalizmi më i madh pikërisht për shkak se mandati i IPK-së është jashtëzakonisht me peshë dhe me ligj i caktuar”, tha ai.
Ndaj zyrtarit, Prokuroria ka njoftuar se do të bëjë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit prej një muaj./teve1