Ngritet aktakuza ndaj “Bio Mulakut” dhe Përparim Ibishit

Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Mitrovicë ndaj dy të pandehurve Nazmi Mulakut, i njohur si “Bio Mulaku”, dhe Përparim Ibishit, të dy të dyshuar se kanë kryer veprat penale “Ushtrimi i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore ose farmaceutike“ dhe “Mashtrimi“.

Në njoftimin e Prokurorisë thuhet se të njëjtit kanë kryer trajtime shëndetësore të qytetarëve të vendit pa qenë të licencuar.

“Prokuroria njofton opinionin publik se deri ne datë 16 korrik 2024, në ordinancën “B.  M.” në Vushtrri, të pandehurit me dashje, në vazhdim dhe në bashkëkryerje pa pasur kualifikim profesional kryejnë trajtime mjekësore dhe angazhohen në aktivitete mjekësore për të cilat me ligj kërkohen kualifikime të posaçme, ashtu që pretendojnë se shërojnë sëmundje të ndryshme dhe zgjedhin problemet e qytetarëve, të cilat edhe i postojnë në rrjetet sociale duke pretenduar se i shërojnë, në atë mënyrë që “pacientëve” – të dëmtuarve ju japin tableta dhe çajra të ndryshëm, ujë i cili nuk i plotëson normat për cilësinë e ujit të destinuar për konsum njerëzor”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.

“Po ashtu, të pandehurit, me dashje, në vazhdim dhe në bashkëkryerje me anë të paraqitjes së rreme të fakteve dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete, i vënë në lajthim qytetarët dhe me këtë i nxitin që të kryejë një veprim i cili rezulton me dëm material të pasurisë së tyre, në atë mënyrë që përmes rrjeteve sociale bëjnë thirrje për shërimin e sëmundjeve të ndryshme, dhe duke e shfrytëzuar kështu gjendjen e rëndë shëndetësore, sociale dhe emocionale të të dëmtarëve, në atë mënyrë që për një kontroll i marrin nga 100 € dhe për terapi deri në 30 €”.

Prokuroria Themelore në Mitrovicë shton se me dy të pandehurit ka arritur marrëveshje për pranimin e fajësisë, ku të pandehurit pranojnë veprat e kryera penale, dhe pajtohen t’i rekomandojnë gjykatës qe të i shqiptojnë dënim me gjobë dhe dënim me burgim, i cili me pëlqimin e tyre të zëvendësohet në dënim me gjobë në vlerën e përgjithshme prej 70 mijë euro.