Kryesuesi Hajdaraj i drejtohet BE-së dhe EULEX-it me kërkesë për interpretim të Ligjit për KPK-në
Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), Ardian Hajdaraj, në mbledhjen e 270-të të KPK-së, gjatë diskutimit për pagat e anëtarëve joprokurorë në Këshill, tha se i është drejtuar me letër Zyrës së BE-së dhe EULEX-it më 15 korrik 2025.
Për këtë çështje reaguan ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi dhe anëtarët Veton Shabani dhe Arian Gashi.
Fillimisht, Kelmendi tha se nuk e di se në cilën bazë kryesuesi Hajdaraj i është drejtuar EULEX-it dhe BE-së, duke shtuar se do duhej të ishin të njoftuar.
“Nuk e di me cilën bazë kryesuesi iu ka drejtuar EULEX dhe BE… do duhej të ishim të njoftuar”, tha Kelmendi.
Edhe Gashi kërkoi të dihet se në çfarë cilësie i është drejtuar Hajdaraj, BE-së dhe EULEX-it.
Ndërkaq, Shabani kërkoi nga Hajdaraj të di se a i është drejtuar në emër të Këshillit apo personalisht me letër Zyrës së BE-së dhe EULEX-it.
“Shkarazi e përmende që ju ke drejtuar Zyrës së BE-së dhe EULEX, a ju ke drejtu personalisht apo në emër të Këshillit”, tha Shabani.
Ndërkaq anëtarët, Milot Krasniqi dhe Jetish Maloku thanë se meqenëse Hajdaraj i është drejtuar Zyrës së BE-së dhe EULEX-it, të pritet për përgjigjen e tyre lidhur me çështjen e pagave për anëtarët joprokurorë.
“Përderisa kërkojmë ndihmë dhe nëse i kemi kërku, mendimi im është me pritë”, tha Krasniqi.
“Është jo serioze në raport me këto dy zyre, tash na me vendos, të presim çka thonë zyret”, u shpreh Maloku.
Ndërkaq, vetë Hajdaraj tha se kërkesa drejtuar BE-së dhe EULEX-it ka qenë personalisht e drejtuar dhe se ka ardhë si rezultat i asaj se ka pasur dilema mes anëtarëve se si të veprohet me pagat e anëtarëve joprokurorë në KPK.
“Ka dilema mes antarëve të Këshillit, i jam drejtuar me një kërkesë Shefit të BE-së dhe EULEX për interpretim të Ligjit”, tha Hajdaraj.
Sipas Hajdarajt, vetë ekspertët e BE-së kanë qenë pjesë e grupit punues për plotësim-ndryshimet e Ligjit për KPK-në, andaj edhe ka kërkuar një mendim profesional nga kjo Zyrë.
Për këtë letër që ka dërguar Hajdaraj, anëtari i Këshillit, Veton Shabani tha se vetë këto zyra do të jenë të befasuara nga letra që Hajdaraj ka dërguar.
“Por, jam i bindur se do të ndihen të befasuar kur ta shohin letrën se a duhet me zbatu ligjin a jo, qesharake është kjo”, tha Shabani.
Në fund të diskutimit për pagat e anëtarëve joprokurorë, Këshilli vendosi me 6 vota për dhe 4 abstenime, që të obligohet Sekretariati i KPK-së që bazuar në Ligjin për KPK-në të paguhen anëtarët joprokurorë. B/etimipërDrejtësi