Policia në Pejë prangos katër persona, të dyshuar për zjarrvënie

Policia në Pejë, përmes njoftimit, ka bërë të ditur se ka arrestuar katër persona të dyshuar për zjarrvënie. Ata më pas janë liruar në procedurë të rregullt.

“Drejtoria Rajonale e Policisë në Pejë, gjatë këtyre ditëve, ka ndërmarrë masa ligjore ndaj të gjithë atyre individëve të cilët kanë shkaktuar zjarre, qoftë qëllimisht apo përmes pakujdesisë së shfaqur në çfarëdo forme. Në zonën e përgjegjësisë se Drejtorisë Rajonale të Policisë në Pejë, kanë ndodhur dëme të konsiderueshme në fusha të hapura (të mbjella me grurë) dhe shtëpi. Gjithsejtë janë proceduar katërmbëdhjetë (14) raste të zjarrvënieve, janë arrestuar dhe intervistuar katër (4) persona të dyshuar, në koordinim me prokurorin e Shtetit, janë dërguar në procedurë të rregullt, ndërsa për dhjetë (10) raste të zjarrvënies janë dërguar në prokurorinë e Shtetit për procedura të mëtutjeshme ligjore. Policia e Kosovës falënderon të gjithë qytetarët të cilët në forma të ndryshme kanë njoftuar për zjarrvënie dhe kanë ndihmuar në shuarjen e zjarrit në lokacione të ndryshme", thuhet në njoftimin e PK-së.

Policia po ashtu ka bërë apel që të jenë të kujdesshëm.

"Apelojmë të të gjithë qytetarët të rajonit të Pejës që maksimalisht të jenë të kujdesshëm në çdo aktivitet që mund të shkaktojë zjarre gjatë përdorimit si (shkrepëse, cigare, grilla, zjarre në natyrë etj.)", thuhet në njoftimin e PK-së.