Ilir Meta mbetet në burg

Ish-presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, mbetet në burg.

Kështu ka vendosur sot Apeli i Posaçëm.

Meta kishte bërë ankesë më 26 qershor lidhur me vendimin e shkallës së parë për masën “arrest me burg”.

Kujtim Cakrani, avokat i Ilir Metës, deklaroi para mediave se prokurorët nuk dhanë asnjë shpjegim konkret se pse Meta po mbahet në ambientet e paraburgimit prej 9 muajsh tashmë, pa u mbyllur hetimet.

“Është e paprecedentë! Organi i procedurës i gjendur përballë pyetjeve të mia, edhe të dy prokurorët zoti Kraja dhe kolegu i tij nuk dhanë asnjë shpjegim. Këta janë rrogëtarë, jo gjyqtarë!”, tha Cakrani.

“Ka prej ditësh nën presion nga pikëpamja administrative, është privuar nga disa aktivitete. Zoti Meta do të përballet me të gjithë, është individ që nuk mposhtet kollaj. Nëse përdorin mjete represioni për ta bërë zotin Meta të dalë nga vetja, e kanë gabim. Do të marrë fund kjo histori!”, theksoi ai.

Siç raportojnë mediat shqiptare, më 26 qershor, GJKKO vendosi të lërë në fuqi masën e “arrestit me burg”, ndërsa Meta e cilëson të gjithin një proces me prapavijë politike.
Kjo nuk ishte e vetmja kërkesë e ish shefit të shtetit shqiptar për liri.

Kujtojmë se ai i është drejtuar edhe Gjykatës Kushtetuese ku kërkon shfuqizimin si antikushtetues të vendimit të 27 shkurtit të Gjykatës së Lartë që e la në masën e sigurisë arrest me burg si dhe prishjen e vendimeve edhe në shkallët më të ulëta, atë të Apelit të Gjykatës së Posaçme më 19 nëntor 2024 dhe të Shkallës së Parë më 20 dhe 23 tetor 2024.

Ilir Meta dhe ish-bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi janë marrë të pandehur nga SPAK-u për korrupsion, pastrim parash dhe mosdeklarim të pasurisë.