Pesë kompani aplikojnë për tenderin e Njësisë A3 të “Kosovës A”
Korporata Energjetike e Kosovës ka bërë hapjen zyrtare të aplikimeve të operatorëve ekonomikë për projektin “Rehabilitimi dhe Modernizimi i Njësisë A3 në TC ‘Kosova A’”.
Pesë aplikacione janë dorëzuar për këtë tender, të cilat janë: Grupi i Operatorëve Ekonomikë SBB Energy S.A; Intering SHPK; Ethos Energy, Kompania Limak Insaat Sanay ve Ticaret A.S, Kompania Golden Concord Group Limited; Grupi i operatorëve Ekonomik KEPCO Plant Service&Engineering Co, LTD;DYPNF Co., Ltd; BHI CO., Ltd dhe Grupi I operatorëve ekonomikë HIB Petrol SHPK; Florian Viqa, NTPC Limited.
Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka thënë se aplikimi i pesë kompanive që vijnë nga shtet të ndryshme, dëshmon se po përmbyllet një garë serioze. Ajo ka thënë se kjo dëshmon se ato kanë besuar në këtë proces.
Ajo ka folur edhe për nevojën për investim në këtë njësi të termocentralit “Kosova A”.
“Ky bllok për dekada të tëra ka punuar në kushte të vështira, shpesh nuk ka pasur kapacitetin teknik që të punojë fare, sepse përtej remonteve të domosdoshme, nuk ka pasur investime serioze që do t’ia rrisnin stabilitetin dhe jetëgjatësinë. Me këtë investim që po planifikohet dhe po realizohet blloku A3 do të vazhdojë të shërbejë edhe për së paku 20 vite të tjera me një investim nga mjetet vetanake të KEK-ut në vlerë prej 137 milionë eurove, do të sjellë përfitime të shumëfishta. Do të prodhojë më shumë nga 130 sa prodhon aktualisht do të prodhojë 215 megavat bruto” , ka thënë Rizvanolli.
Ky aktivitet i prokurimit ka qenë i hapur që nga 23 janar i këtij viti.
Së fundmi ishte pezulluar pas një ankese të një operatori ekonomik për kritere diskriminuese, por që ankesa ishte hedhur poshtë nga OSHP-ja, duke i hapur rrugë KEK-ut për të vazhduar me procedurat tutje.