Kryeziu-Hyseni: Deputetët opozitarë po bllokojnë konstituimin e Kuvendit
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbresha Kryeziu-Hyseni, ka reaguar pas dështimit të seancës së 48-të të Kuvendit, duke theksuar se vendi është në prag të afatit përfundimtar të 26 korrikut, të vendosur nga Gjykata Kushtetuese për konstituimin e Kuvendit.
Ajo akuzoi deputetët opozitarë se për më shumë se 30 seanca kanë refuzuar të marrin pjesë në formimin e komisionit, që mundëson votimin e fshehtë, duke bllokuar kështu çdo procedurë për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.
Kryeziu tha se kjo bllokadë është krijuar qëllimisht dhe po mban peng funksionimin e institucioneve.
“Jemi tashmë në ditët përpara datës 26 korrik, që e kemi afatin e fundit të dhënë nga Gjykata Kushtetuese për konstituimin e Kuvendit. Ndërkohë që i kemi të njëjtët deputetë me të njëjtat qëndrime për më shumë se 30 seanca tashmë, të cilët refuzojnë të marrin pjesë në formimin e komisionit, i cili e mundëson votimin e fshehtë. Të njëjtët deputetë refuzojnë të marrin pjesë edhe duke votuar qoftë rrëzimin e këtij komisioni, në mënyrë që të kalojmë në procedurën e votimit të hapur, qoftë formimin e këtij komisioni në mënyrë që deputetët t’i nënshtrohen një mënyre tjetër të procedurës së votimit, atë të fshehtë, që është e drejtë që na jepet neve. Kemi ngecur në një bllokadë që është krijuar nga vetë këta, siç duket janë po këta deputetë të cilët, të etur të mbajnë debate pas mbylljes së seancës, refuzojnë të konstituojnë Kuvendin e Republikës së Kosovës”, tha ajo.