Jashari: Arrestimi i zyrtarit policor, goditje për ata që veprojnë kundër interesave të Kosovës

Avokati Arbër Jashari komentoi arrestimin e sotëm të një zyrtari të lartë policor, nën dyshimet për bashkëpunim me strukturat e shtetit serb.

Jashari, përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ka thënë se Kosova po bëhet çdo ditë e më shumë një vend më i sigurt, falë punës profesionale dhe përkushtimit të jashtëzakonshëm të strukturave të sigurisë, me AKI-në në krye, raporton Zeri.info.

Postimi i plotë:

Kosova po bëhet çdo ditë e më shumë një vend më i sigurt, falë punës profesionale dhe përkushtimit të jashtëzakonshëm të strukturave të sigurisë, me AKI-në në krye.

Arrestimi i sotëm i një zyrtari të lartë policor, nën dyshimet për bashkëpunim me strukturat e shtetit serb dhe rrjedhje të informatave të ndjeshme, është edhe një goditje e rëndë për të gjithë ata që veprojnë kundër interesave të shtetit të Kosovës.

Koha po e tregon qartë se veprimtaria e agjentëve dhe spiunëve të lidhur me Serbinë që nga paslufta e ka dëmtuar rëndë shtetin duke na sjellë procese të montuara gjyqësore, kundër pjesëtarëve të UÇK-së, njollosje të imazhit ndërkombëtar dhe rrezik të përhershëm për destabilizim të brendshëm.

E mira është se kjo epokë po i vjen fundi.