Shirat e rrëmbyeshëm ua marrin jetën 63 personave

Shirat e rrëmbyeshëm në provincën Punjab të Pakistanit kanë vrarë të paktën 63 persona dhe kanë lënduar 290 të tjerë në 24 orët e fundit që nga fillimi i reshjeve të rrëmbyeshme të mërkurën në mëngjes.

Shumica e viktimave u shtypën nga shembja e ndërtesave, ndërsa pjesa tjetër ose u mbytën ose u goditën nga rryma elektrike, sipas Autoritetit Kombëtar të Menaxhimit të Fatkeqësive, shkruan BBC.

Autoritetet në qytetin Rawalpindi, pranë kryeqytetit Islamabad, e shpallën të enjten një festë zyrtare për të mbajtur njerëzit në shtëpi, ndërsa ata që jetojnë pranë një lumi që kalon nëpër qytet janë udhëzuar të evakuohen.

Vdekjet e fundit e çojnë numrin e viktimave në të gjithë vendin në gati 180 që nga fillimi i musoneve në fund të qershorit. Më shumë se gjysma e tyre ishin fëmijë.