Uran Ismaili zyrtarizon kandidaturën për kryetar të Prishtinës

Uran Ismaili, nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), edhe zyrtarisht ka shpallur kandidaturën e tij për kryetar të Prishtinës.

Përmes një videoje të publikuar në rrjetet e tij sociale, Ismaili ka listuar një sërë arsyesh pse po rikandidon, këtë herë i bindur se Prishtina meriton më mirë dhe më shumë.

Në videomesazhin e tij, Ismaili shfaqet në pjesë të ndryshme të qytetit të Prishtinës, duke përmendur se kandidatura e tij vjen nga përkushtimi personal që ka ndaj kryeqytetit dhe nga bindja se Prishtinës i duhet një drejtim të ri.

“Kur po më pyesin pse po kandidoj prapë, përgjigjja ime është e thjeshtë: Është qyteti im. Këtu jam rritë. Këtu jetoj. Këtu është e ardhmja jonë. Na takon neve, qytetarëve të Prishtinës, të bëhemi bashkë për të”, shprehet Ismaili.

Ismaili ka theksuar se nuk mund të presim derisa të tjerët bëjnë eksperimente që e bllokojnë jetën në qytet. Ai shton t’i shërbejë Prishtinës – mbetet nderi më i madh i jetës së tij.

“Është koha për Prishtinën, e unë nuk e kam ndërmend me u dorëzu”, përfundon ai në video, duke i ftuar të gjithë të bëhen bashkë për ndryshimin.