Zjarri në qendrën tregtare në Irak, shkon në 60 numri i viktimave
Të paktën 60 persona kanë humbur jetën nga një zjarr i madh që përfshiu një qendër tregtare pesëkatëshe në qytetin Kut të Irakut, bëjnë me dije zyrtarët lokalë.
Zjarri shpërtheu mbrëmjen e së mërkurës në qendrën tregtare “Corniche Hypermarket”, e cila ishte hapur vetëm një javë më parë.
Pamjet e shpërndara në rrjetet sociale tregojnë zjarrfikës duke shpëtuar njerëz nga çatia e ndërtesës, ndërsa mediat shtetërore raportojnë se shumë persona ende rezultojnë të zhdukur. Guvernatori i rajonit, Mohammed al-Miyahi, e cilësoi ngjarjen si një “tragjedi dhe fatkeqësi”, duke paralajmëruar ndjekje penale ndaj pronarit të qendrës tregtare. Në nderim të viktimave, janë shpallur tre ditë zie.
Flakët përfshinë disa kate të qendrës, ndërsa zjarrfikësit luftonin për orë të tëra për shuarjen e tyre. Deri në orën 04:00 të mëngjesit, ambulancat vijonin të transportonin të plagosur drejt spitaleve në qytetin që ndodhet rreth 160 kilometra në juglindje të Bagdadit.
Sipas Ministrisë së Brendshme të Irakut, nga zjarri kanë humbur jetën 61 persona, shumica prej të cilëve kanë ndërruar jetë nga asfiksia në banjot e qendrës. Deri më tani, janë identifikuar vetëm një pjesë e viktimave, pasi 14 trupa janë gjetur tërësisht të karbonizuar. Ndërkohë, 45 persona janë shpëtuar nga ndërtesa nga ekipet e zjarrfikësve.
“Na ka goditur një katastrofë,” rrëfen për AFP Nasir al-Quraishi, një mjek në të pesëdhjetat, i cili humbi pesë anëtarë të familjes së tij në zjarr. “Shkuam në qendër për të darkuar dhe për t’i shpëtuar ndërprerjeve të energjisë elektrike në shtëpi. Një kondicioner shpërtheu në katin e dytë dhe menjëherë shpërtheu zjarri. Nuk mundëm të iknim.”
Ali Kadhim, 51 vjeç, ka kërkuar të afërmit e tij, kushëririn, bashkëshorten dhe tre fëmijët e tyre – në spitalin kryesor dhe në vendngjarje, por ende nuk ka informacion për fatin e tyre.
Ndërsa Moataz Karim, 45 vjeç, ka identifikuar trupat e dy të afërmve të tij, njëri prej të cilëve kishte nisur punë në qendër vetëm tre ditë më parë.
“Këtu nuk kishte asnjë sistem për shuarjen e zjarrit,” tha ai për AFP, ndërsa priste informacione për një të tretë të zhdukur jashtë Institutit të Mjekësisë Ligjore.
Kryeministri i Irakut, Mohammed Shia al-Sudani, ka shprehur ngushëllimet për familjet e viktimave dhe ka urdhëruar nisjen e menjëhershme të hetimeve për shkaqet e zjarrit. Ai ka kërkuar gjithashtu të evidentohen të gjitha mangësitë dhe të ndërmerren masa të rrepta për të parandaluar përsëritjen e ngjarjeve të tilla.
Sipas autoriteteve, qendra tregtare përfshinte edhe një restorant dhe ishte hapur vetëm një javë më parë. Ngjarja rikthen në vëmendje shqetësimet për mungesën e standardeve të sigurisë në ndërtesat publike në Irak, një vend që përballet prej dekadash me keqmenaxhim dhe korrupsion.
Kujtojmë se në vitin 2023, mbi 100 persona humbën jetën nga një zjarr në një dasmë në veri të Irakut, ndërsa në vitin 2021, mbi 90 persona vdiqën pas një zjarri në repartin e izolimit për pacientët me Covid në qytetin Nasiriya. /abcnews