Ndahen mjetet për rimbursimin e 10-përqindëshit për të pensionuarit e vitit 2025

Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës (Trusti) ka njoftuar se kanë ndarë mjetet për rimbursimin e 10-përqindëshit për të pensionuarit e vitit 2025.

Në njoftim thuhet se mjetet për rimbursimin e 10-përqindëshit për të pensionuarit e vitit 2025 janë në shumën prej 2.995.026.14 eurove për 6.905 persona, të cilët: (a) këtë vit e arrijnë moshën e pensionimit 65-vjeçare (pra janë të lindur në vitin 1960), ose (b) kanë vdekur, dhe kursimet e tyre janë tërhequr nga trashëgimtarët e tyre (pas rimbursimit të vitit 2024).

“Ky është viti i tretë që po vazhdon rimbursimi i 10-përqindëshit për kontribuuesit që i kishin të kursyera deri në 9.999.99 euro në llogarinë e FKPK-së në momentin e aplikimit për tërheqjen e parakohshme (më 2020 dhe 2021). Për këtë, më 2024 ishin rimbursuar 1.873.875.75 euro, ndërsa më 2023 ishin rimbursuar 5.431.049.56 euro”, thuhet në njoftim.

Gjithashtu, tutje thuhet se sa i përket rimbursimit për pjesëmarrësit e tjerë, në përputhje me ligjin aktual, procesi do të vazhdojë deri në vitin 2028.