Prizren: Arrestohen në flagrancë tre të dyshuar për shitblerje dhe posedim narkotikësh

Policia e Kosovës për rajonin e Prizrenit, gjatë punës operative në terren, në kuadër të planit operativ “Sezoni veror 2025”, ka vërejtur një veturë të dyshuar, në të cilën ndodheshin dy persona të dyshuar, nga e cila njëri prej tyre i ka dhënë një sasi substancë narkotike të dyshuarit të tretë, i cili ndodhej në një veturë tjetër anash.

Sipas një njoftimi për media, bëhet e ditur se pas këtyre veprimeve hetuesit policorë kanë arrestuar tre të dyshuarit, nga të cilët dy të dyshuarit me veturën e parë paraprakisht kishin tentuar të ikin nga vendi i ngjarjes, me ç’rast kanë goditur dy vetura të parkuara ku kanë shkaktuar aksident me dëme materiale.

“Lidhur me rastin, në konsultim me prokurorin kujdestar, është kryer bastisje në shtëpitë e dy të dyshuarve meshkuj kosovarë, ku nga bastisja e realizuar dhe nga vendi i ngjarjes janë gjetur dhe janë sekuestruar dëshmitë si në vijim: – substancë narkotike dyshohet e llojit marihuanë me peshë 2 kg e 358 gramë e ndarë në doza për shitje dhe qese të ndryshme najloni (vlera e shitjes ilegale të kësaj substance narkotike në doza vlerësohet rreth 11 mijë euro, të holla në vlerë 115 euro, një peshore elektronike, disa qese najloni për paketim të substancës narkotike, një rollne foli najloni për paketim të substancës narkotike, dy telefona mobilë, një veturë me targa vendore”, thuhet në njoftim.

Tutje në njoftim thuhet se personat e dyshuar të përfshirë në rast janë shoqëruar në stacion policor dhe janë intervistuar në prezencë të avokateve mbrojtës dhe me aktvendim të prokurorit të shtetit dy të dyshuarit ndalohen për 48 orë , ndërsa ndaj të dyshuarit të tretë në konsultim me prokurorin kujdestar është iniciuar rasti për posedim të substancës narkotike nga Neni 269 i KPRK-së në procedurë të rregullt.