OVL-UÇK-së reagon pas rrëzimit të mocionit nga Specialja: Ky vendim është zhgënjyes
Organizata e Veteranëve të Luftës ka reaguar pas vendimit të sotëm të Gjykatës Speciale në Hagë për të refuzuar mocionin për rrëzimin e një pjese të aktakuzës në rastin ndaj ish-krerëve të UÇK-së
“OVL, SHIL, dhe SHFD kanë ndjekur me vëmendje rrëzimin e mocionit të paraqitur nga mbrojtja e ish-krerëve të UÇK-së në Dhomat e Specializuara. Ky vendim është zhgënjyes dhe ngjall shqetësime serioze për drejtësinë dhe paanshmërinë që kjo gjykatë pretendon ta përfaqësojë”, thuhet në reagim, transmeton KosovaPress..
Përmes një postimi në Facebook, Organizata e Veteranëve të Luftës ka bërë thirrje për opinionin publik dhe komunitetin ndërkombëtar që të mos bien pre e narratives së shtrembëruar.
“I bëjmë thirrje opinionit publik dhe komunitetit ndërkombëtar që të mos bien pre e një narrative të shtrembëruar. Kjo gjykatë po rrezikon të shndërrohet në mjet për rishkrim të historisë, e jo në garanci të drejtësisë. Në emër të të gjithë atyre që sakrifikuan për lirinë e Kosovës, do të qëndrojmë gjithmonë në mbrojtje të së vërtetës dhe të drejtave të bashkëluftëtarëve tanë”, thuhet ndër të tjerash në reagim.