I penduari i drejtësisë “tradhton” shokët, 130 mijë euro për “kokën” e Emiljano Ramzanit
Skerdi Tase, i penduari i tretë në dosjen “Plumbi i Artë” ka dëshmuar këtë të martë para gjykatësve të posaçëm.
Sipas Top Channel, Tase rrëfeu se si e ka njohur Henrik Hoxhajn dhe se si ka marrë porositë për vrasjen e një personi në Fier.
Tase: "Shtetasin Henrik Hoxhaj e kam njohur nga një shok i përbashkët. Për herë të parë jemi takuar në 2017. Shoku Viron Tavanxhi me takoi me Hebrikun për të bërë ekzekutimin e një personi në Fier. Henriku kishte të gjitha të dhënat e atij personi. Ai rrinte afër rreth rrotullimit të parkut në Fier. Për ngjarjen Hebriku kishte një makinë “Alfa Romeo” të blerë në Fier. Henriku kishte dhe një armë pistoletë automatike. Ditën e ekzekutimit, Henriku më thirri dhe më tha se porositësi i kishte thënë “shumë po e zgjasni atë punë”. Dolëm dhe e gjetëm atë njeriun në një lokal. Unë mora armën dhe shkova atje. Ai personi e kuptoi që isha për të. Ai u çua në këmbë, bërtiti me të madhe dhe u shtri poshtë. Unë mendova se e qëllova. Pastaj ika nëpër rrugicat e qytetit. Pistoletën e kam hedhur në Gjanicë. Porosia e Viron Tavanxhi ishte për ekzekutimin e Gim Boriçin. Unë e njihja, kisha dëgjuar për të në Fier. Unë njihesha prej vitesh me Vironin. Në 2017 ai më kontaktoi për të vrarë Agim Boriçin. U realizuan veprimet, por në vitin 2018. Ndërsa në 2017, unë takohesha përditë me Henrikun. Gjatë kësaj kohe ai më tha se kishte marrë përsipër edhe një punë tjetër, ekzekutimin e Hajredin Beharit. Hënriku kishte foto të tij. Ai rrinte tek një lokal përballë shtëpisë, si edhe kishte një dyqan ku shiste vajra makine".
Ai tha se për vrasjen e kishte ‘kontaktuar’ Henrik Hoxha, vrasje për të cilën do të merrte para në këmbim. Tase tha sot se nga Hoxha kishte mësuar se urdhër po ashtu për eliminimin e Beharit kishte dhënë edhe Renato Çami.
Pasi atentati kishte dështuar, shënjestra thotë Tase kishte dëshmuar në polic, ku mes të tjerash kishte thënë edhe emrin e Çamit.
Tase: "Viron Tavanxhi më premtoi një hyrje në Fier dhe ca lekë. Henriku do më ndihmonte mua për ta kryer këtë punë. Nga Henriku mësova se kishte marrë porosi edhe nga një tjetër për këtë punë, nga Renato Çami. Këtë ma konfirmoi Henriku. Ai fliste me të me një Blackberry. Henriku mbante kontakte edhe me nipin e Renatos. Unë prezent në takimet e Henrikut me Renaton nuk kam qenë. Për tentativën ndaj Hajredin Beharit, lokali ndodhet afër rrethrrotullimit të parkut. Një lokal i vogël në anë të rrugës. Unë qëllova nga jashtë lokalit. E pamë që objektivi ndodhej aty. Ishte me 3-4 vetë të tjerë. Unë kur qëllova isha 1 metër larg derës. Unë kam pasur veshur një bluzë me kapuç dhe pantallona xhins. Besoj se qëllova 5-6 herë. Një breshëri qëllova. Ai u shtri nën tavolinë dhe u bë, mendova se e godita. Pas 100 m më priste Riku (Henriku). I thashë që e godita. Shkuam tek lokali i Rikut. Pastaj kaluam nga Gjanica, hodha pistoletën në lumë. Pas disa ditësh takova Henrikun. Aty debatuam. Më tha, pse e more përsipër kur nuk e bëje dot. Shënjestra kishte shkuar në polici dhe kishte thënë disa emra të dyshuar. Një prej tyre ishte porositësi i vërtetë. Riku më tha, mirë që na dha punë, që nuk e bëmë dot, por tani t’i hapim edhe probleme me policinë. Henriku më tha se kishte dhënë shpjegime në polici. Henriku më konfirmoi se emri i porositësit ishte në dosjen e policisë. Nuk mora asnjë lek për këtë punë, pasi nuk e realizuam dot".
Mes të tjerave, ai ka rrëfyer për atentatin që i kanë bërë Gim Boriçin.
Tase: "Teksa kërkonim Gim Boriçin, mësuam se e kishin parë tek spitali. Shkuam atje me një makinë “Renault Clio”. Nuk e gjetëm tek spitali. I shkuam tek lokali i tij. Boriçi ishte duke pirë kafe më vëllanë. Henriku tha, aq më mirë. Sipas tij, nëse i vrisnim të dy ishte më mirë për porositësin. U afruam nga rrugicat drejt tyre. Unë kisha një kallash ndërsa Henriku një pistoletë “Glock”. U afruam dhe qëllova, por pas një breshërie më ngeci arma. Henriku vazhdonte qëllonte dhe më tha, qëllo se na ikën. Nuk kam ça bëj, i thash se m’u bllokua. Ne i qëlluam nga brenda makinës. Unë isha në sendiljen mbrapa, ndërsa Riku në timon. Kishim vendosur të ishim të dy ekzekutorë, pasi nuk e dinim se ku do e qëllonim, në lëvizje, në parakalim a nuk e di. Nëse do zbrisnim, ai do isha unë. Ne qëlluam nga 5 metër largësi. Pamë që ata u ngritën dhe ikën drejt shtëpisë, se ishte ngjitur. Ne nuk dolëm nga makina. Pastaj ikëm tek vendi ku do digjnim makinën. Kur dogjëm makinën, u dogja dhe vetë. Patëm një çakmak, që kishte avulluar. Patëm një shkrepëse, por kishim pak fije. Kur u afrova që i vura flakën zjarri më dogji mjekrën, flokët. U largova, por më morën flakë edhe dorezat. Dorezat që i hoqa ishin gjetur nga policia. Vironi më tha se kishin gjetur një provë, por kishte një kushëri tek ekspertiza. Më tha që do flas dhe që duheshin kaq lekë, por e kuptova që donte ta bënte këtë, që të mos i kërkoja më lekë. Henriku më tha se Renato Saliaj i kishte thënë të ishim të qetë se nuk kishim asnjë provë që mund të na zbulonte".
Tase zbardhi edhe tentativën për vrasjen e vëllait të Talo Çelës, si dhe ekzekutimin e Emiliano Ramazanit.
Për vrasjen e këtij të fundit, ai thotë se janë vendosur 130 mijë euro, ndërsa rrëfen me detaje sesi e kreu ekzekutimin dhe ngjarja do t’i faturohej dikujt tjetër.
Tase: "Kur u ktheva nga Gjermania, mësova se Riku kishte rënë në kontakt edhe me Nuredin Dumanin. Riku më tha që 4 vrasje në Durrës, vëllezërit Haxhia dhe Dorian Shkozën e tjetrin i kishte bërë ky. Më tha që kishte marrë pjesë bashkë me një person që e quante “kusho”, që më pas mësova se ishte Nuredin Dumani. Ishte pak në merak, pasi njolla e gjakut e gjetur tek vëllezërit Haxhia ishte e Rikut. Më tha që veç tyre kishin në plan të vrisnin edhe Bujar Çelën, vëllanë e Talo Çelës. Unë e takova Rikun tek shtëpia në Tiranë, që e kishte në Bllok. Të nesërmen takuam Nuredinin. Aty ramë dakord për ekzekutimin. Tek Nuredini Riku më prezantoi si nipçe. Biseduam për kushtet dhe këta tregonin dhe atentatet e Durrësit. Aty morëm dhe një kapar, nja 5 mijë euro. Më vonë e mora vesh se porosia ishte Erion Alibej. Bujar Çela lëvizte me një Benz. Na tregoi shtëpinë, lokalin. Por ne e anashkaluam. Riku nuk donte që ta vrisnim. Ne edhe e kemi parë, por nuk donim që ta vrisnim. Një herë u bëmë gati. Morëm makinën për atentatin. Por dikush kishte raportuar targën, si makinë e dyshimtë. Më pas vendosëm të mos merreshim me Çelën, por vendosëm në shënjestër Emiliano Ramazanin. Ramë dakord për 130 mijë euro në këtë vrasje. Ne kishim foto të Emilianos, i dinim edhe makinën. Nuk po e gjenim dot në Elbasan. Kishim tre opsione, shtëpia, palestra, apo lokali. Gjatë kësaj kohe rrinim në Tiranë. Çdo ditë shkonim në Elbasan, me makina të ndryshme me qira. Në atentat përdorëm makinë që na e siguroi Nuredini. E njëjta që do përdornim për Bujar Çelën. Dy herë makinën e kemi marrë në Bradashesh në një magazinë, që më pas mësova se ishte e Arben Lazës. Kishim 4 armë për këtë ngjarje. Po ta qëllonim në parakalim do përdornim kallash, ndryshe pistoletën. Ditën e ngjarjes i shkuam tek palestra, por pamë që s’ishte vend i përshtatshëm. Kështu që e pritëm tek shtëpia, në rrugë kryesore. E pamë që u afrua. Vinte me një “Ford Fiesta”. Unë zbrita. Henriku qëndroi shofer. Unë mora 2 pistoleta me vete. U afrova dhe pasi parkoi dhe fiku makinën, u afrova me vrap. I dola nga xhami i pasagjerit. Nga aty e qëllova disa herë, në kokë, qafë. Ai nuk më pa, se po merrej me telefon. Në oborrin brenda pallatit ndodhi. E dogjëm makinën pas krimit, bashkë me 2 armë. Armët që përdora i mora me vete. Ikëm në Tiranë duke i rënë nga Peqini. Diku ku ishin ca betoniere fshehëm armët dhe Riku i çoi foto Nuredinit në SKY, pasi ato do çoheshin diku tjetër, me qëllim që t’i faturohej ngjarja dikujt tjetër. Na kontaktoi edhe një Klara për lekët. Në kishim marrë disa shuma ndërkohë. Si rregull duhet të ndanim 60 mijë euro me Rikun, por unë mora 25 mijë". /TCH