E reja nga Kosova humb jetën pas aksidentit në Gjermani

Një vajzë 21-vjeçare nga Kosova ka ndërruar jetë tragjikisht pas një vetaksidenti të rëndë në autostradën B28, në afërsi të qytetit Reutlingen në Gjermani.

Sipas raportimeve të mediave gjermane, aksidenti ka ndodhur ditën e enjte, kur e reja me inicialet Y.H., duke udhëtuar me veturën e saj nga drejtimi i Metzingen drejt Reutlingen, humbi kontrollin mbi automjetin.

Vetura rrëshqiti nga rruga dhe u përmbys disa herë, duke pësuar dëmtime të rënda.

 

Për shkak të aksidentit, autostrada B28 u mbyll tërësisht për disa orë, ndërsa në vendin e ngjarjes u dërgua edhe një helikopter shpëtimi.

Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve dhe kujdesit intensiv, e reja nuk mundi t’u bëjë ballë plagëve të marra.

Ajo ndërroi jetë ditën e shtunë, dy ditë pas aksidentit. Autoritetet gjermane konfirmuan zyrtarisht vdekjen e saj gjatë ditës së djeshme.Ndërkohë, policia ka nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e aksidentit tragjik.

Ngjarja ka tronditur komunitetin shqiptar në Gjermani, ndërsa familjarët dhe të afërmit e saj janë duke përjetuar momente të vështira pas humbjes së parakohshme.