Rrëfimi i të mbijetuarës së dhunës seksuale: Më morën 11 vjeç, nuk e dija çka ishte dhunimi
Rrëfimin për dhunimin e saj seksual e nisë duke treguar se si nga një objekt ajo (si 11 vjeçare) u mor së bashku me motrat e saj për tu dërguar me një pjesë tjetër ku e panë me sy tmerrin.
Madje, thotë se ishin ato momente kur e kuptoi që nuk po dërgonin për ta vrarë por për krejt diçka tjetër, diçka që nuk kishte dëgjuar kurrë më parë, dhunimin.
“Panduri: Tash në momentin që të morën ty, me kë të morën?
E mbijetuara: Me motrat
Panduri: Me motrat?
E mbijetuara: Po, në pjesën tonë kanë ndodhur, familjen e ngushtë katër motrat, nana. Edhe kur më kanë marrë me më dërgu në pjesën në atë objekt, si kemi hyrë në koridorin e atij objekti o Ermal, kemi dëgj zhurma të lloj-llojshme, ke ec nëpër gjak të tyre o Ermal, ke pa trishtim me sy që s’e di mentë si kanë mbetur në kokë, nuk e kam ditur unë çka po ndodhë, çka do të ndodhë me vetën, se bindjen unë e kam pas, derisa i kam parë gratë, bindjen e kam pasur se unë do të hyjë të vdes, unë s’e kam ditur që ato janë gjallë
Panduri: Kur e kuptove çka po ndodhte brenda?
E mbijetuara: Oh, kur e kam kuptu çka po ndodh brenda, i kam pa gratë e zhveshura, bertitshin, të gjakosta, të preme, kam pa çka s’kam pa, kam pa gjithçka, muj me thanë kam pa gjithçka, tmerr kam pa, si për një fëmijë 11 vjeçar, tmerrin që e kam pa, ma tmerr su kanë kur e kam kap një pjesë të trupit të një njeriu që s’e kam ditë, tmerri u kanë aty, që unë e kam përjetu shumë rëndë, se unë s’e kam ditë çka është dhunimi, unë nuk e kam ditë çka kanë me ba dy veta me mua”.
Ajo në ato momente pa me sytë e saj dhunimin e motrës së saj që ishte më e madhe në moshë se ajo.
Dhuna po u ushtrohej nga më shumë se një person.
Por, përjetimet e saj pos dhunimit seksual përfshinin edhe prerje me thikë duke i lënë shenja të përhershme në fytyrë e pjesë tjera të trupit.
“E mbijetuara: Motrën e morën dy-tre veta, po të njëjtin vend, po të njëjtën dhomë të atij objekti, mua me morën dy veta. Gjatë dhunës tu u mundu, e kam pas një këmishë vesh ka qenë me pulla edhe ata i kanë shky teshat tona, si me kanë kap këtu u shky krejt tesha komplet, me thikë na i kanë heq teshat, sot e atë ditë vuaj Ermal prej shenjave të tyre.
Panduri: Ke shenja në trup?
E mbijetuara: Po, shumë, edhe kam shenja përballë teje këtu ku jam, jam e paragjykuar çdo herë që momentet me të rënda janë kur dal diku në dasëm apo një gëzim apo idhnim që pjesa e shoqërisë tonë ma bajnë pyetjen çka ki këtu.
Panduri: Për fytyrë?
E mbijetuara: Edhe pavarësisht çfarëdo gëzimi që e kanë
Panduri: Si ndodhi, si tu ba kjo shenjë në fytyrë?
E mbijetuara: Gjatë dhunës Ermal, u mundojsha mu mbrojtë si një fëmijë 11 vjeçar, edhe ma kanë bërë shenjën. Edhe një pjesë tjetër ma kanë bërë, me kanë tha ke me mbajtë kryq kujtim, kryqin ma kanë bërë, me kanë tha ke me mbajtë kujtim prej neve.
Panduri: Të kanë ba kryq në fytyrë?
E mbijetuara: Po, me kanë thënë që ke me mbajtë kujtim prej neve edhe është një pjesë që unë e përjetova shumë rëndë dhunën më shkatërroi si fëmijë brenda vetës, por ma shkatërroj edhe të ardhmën se më la shenja për të ardhmen”.
E mbijetuara e dhunës seksuale nga forcat serbe tregon në TV Dukagjini që pos saj dhe motrës dhunën seksuale e përjetoi edhe nëna e saj.
Në ato momente ajo shpjegon se po gjakonte nga fytyra e i kishin lënë të zhveshura. Madje, kishte përfunduar pandjenja për shkak të gjakderdhjes.