Analistët: Kriza politike po thellohet, kërkohet zgjidhje urgjente

Pas vendimit të Gjykatës Supreme lidhur me kompetencat e Qeverisë në detyrë, kanë reaguar ekspertë të fushës juridike dhe politike, të cilët paralajmërojnë për thellim të krizës institucionale në vend.

Profesori i të Drejtës Kushtetuese, Kadri Kryeziu, deklaroi se Qeveria në detyrë ka të drejtë të marrë vendime vetëm në bazë të ligjit, por këto të drejta janë të kufizuara.

“Qeveria në detyrë ka të drejtë të marrë vendime që janë të sanksionuara me ligj, ka të drejtë në disa çështje teknike dhe disa çështje financiare, përfshirë buxhetin. Megjithatë, të drejtat janë të cunguara dhe jo të plota. Çdo vendim që merr kryeministri ose ministri duhet të bazohet në Ligjin për Qeverisjen e Republikës së Kosovës. Qeveria, në momentin që është në detyrë, nuk ka të drejtë të nxjerrë akte normative apo akte nënligjore. Nëse një akt i tillë është nxjerrë, atëherë bëhet fjalë për veprim të kundërligjshëm”, theksoi Kryeziu.

Ndërkaq, politologu Melazim Koci e konsideron këtë situatë si një përshkallëzim serioz të krizës politike dhe institucionale në Kosovë. Ai shprehu shqetësimin se kriza ka hyrë në një fazë më të thellë dhe ka kërkuar ndërhyrje të menjëhershme nga liderët politikë.

“Mendoj që kemi të bëjmë me një thellim të krizës në Kosovë. Kjo është evidente, pasi menjëherë pas vendimit kemi interpretime të ndryshme. Qeveria pohon se deputetët nuk janë në kapacitetin e tyre përderisa nuk konstituohet Kuvendi, ndërsa nga ana tjetër qëndron fakti se deputetët janë deputetë që nga momenti i certifikimit. Kjo situatë është ngatërruar aq shumë në aspektin juridik dhe kushtetues, sa që nuk e shoh të mundur tejkalimin e krizës pa një zgjidhje politike urgjente. Në të kundërtën, Kosova rrezikon të preket në themelet e shtetësisë së saj”, u shpreh Koci.

Ai shtoi se është momenti i fundit që liderët e partive politike të ulen dhe të gjejnë një zgjidhje përmes dialogut, përndryshe vendi rrezikon të përfshihet nga kaosi dhe anarkia institucionale.

“Sinjalet janë brengosëse. Kemi mospajtime të thella. Nga njëra anë dëgjojmë akuza për grusht-shteti nga opozita, dhe nga ana tjetër pohime nga qeveria për vendime të njëanshme dhe politikisht të motivuara. Është urgjente që brenda 48 orëve të zhvillohen takime ndërpartiake për të shmangur përshkallëzimin e mëtejmë”, përfundoi ai./rtk