Platforma “Megafon” synon fuqizimin e zërit të fëmijëve dhe të rinjve, t’i bëjë ndikues në shoqëri

Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF lansoi të hënën platformën “MEGAFON”, një hapësirë inovative dhe gjithëpërfshirëse që synon fuqizimin e zërit të fëmijëve dhe të rinjve në Kosovë, duke i bërë ata pjesëmarrës aktivë dhe ndikues në shoqëri, raporton Ekonomia Online.

Presidentja e KOMF-it, Remzie Krasniqi, deklaroi se kjo platformë do t’u mundësojë fëmijëve jo vetëm të shprehen, por edhe të ndikojnë realisht në përmirësimin e jetës së tyre dhe të komunitetit.

“Përmes platformës MEGAFON ne shpresojmë që, përveç shprehjes së mendimit dhe pjesëmarrjes aktive, këta të rinj do të jenë edhe ndikues në jetën e fëmijëve, për veten, për të tjerët, pse jo edhe për të rriturit. Praktikat më të mira nga vendi do t’i sjellim përmes platformës MEGAFON”, tha Krasniqi.

Eksperti ndërkombëtar për fëmijë, George Bogdanov, tha se ky model duhet të shërbejë si shembull për gjithë Evropën.

“MEGAFON-i nuk është thjesht një program. Kjo është një mënyrë se si shoqëria jonë: Bullgaria, Kosova, në fakt e gjithë Evropa duhet t’u japë jo vetëm zë, por edhe fuqi të vërtetë fëmijëve dhe t’i bëjë ata më të fortë. Sepse, nëse nuk e bëjmë këtë për fëmijët tanë, kush tjetër do ta bëjë? Ne nuk duhet t’u japim mësim, por duhet të marrim pjesë së bashku me ta për t’u bërë qytetarë të vërtetë në shoqëritë tona”, tha ai.

Pjesë e lansimit ishin edhe të rinjtë, të cilët theksuan rëndësinë që zëri i tyre të dëgjohet.

“Kur zëri ynë dëgjohet, jemi më të fortë edhe më të lumtur”, tha Egzona Reka, pjesëmarrëse në platformë.