Sekuestrohen dy armë zjarri dhe një thikë në Fushë-Kosovë, prangosen dy persona

Policia e rajonit të Prishtinës, në kuadër të punës së saj për parandalimin e veprimtarive kriminale që po i sjellin dëme shoqërisë, ka intensifikuar veprimet e saj në drejtim të identifikimit dhe kapjes së personave të përfshirë në raste kriminale.

Sipas njoftimit të Policisë, sot rreth orës 01:00, nga njësite policore të stacionit të Fushë-Kosovës janë arrestuar dy persona të dyshuar, të cilëve u janë gjetur dhe sekuestruar dy armë zjarri dhe një thikë, si dhe është shoqëruar për në gjykatë një person, i cili kishte urdhëresë nga gjykata.

“Personat e dyshuar janë ndaluar për verifikim, derisa policia po kryente kontrolle rutinë në rrugën ‘Aziz Abrashi’ në Fushë-Kosovë. Ndaj personave të dyshuar: J.G., mashkull 29 vjeç dhe F.G., mashkull 27 vjeç, me vendim të prokurorit të Shtetit është shqiptuar masa e ndalimit për 48 orë dhe është iniciuar rast për 'Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve'”, thuhet në njoftimin e PK-së.

Ndërsa personi M.K., mashkull, 46 vjeç është shoqëruar për në Gjykatën Themelore, pasi kishte urdhëresë aktive për veprën e njëjtë, “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës”. /Zëri