Promovimi i romanit të shekullit XVII “Skënderbeu i Madh” në Shkodër
Një ndër dëshmitë më të hershme letrare të Evropës për figurën e Gjergj Kastriotit Skënderbeut vjen për herë të parë në gjuhën shqipe, duke hedhur dritë mbi një kapitull të panjohur të pranisë së heroit tonë kombëtar në letërsinë evropiane të shekujve të kaluar.
Bëhet fjalë për romanin kalorësiak “Skënderbeu i Madh”, të shkruar nga autorja franceze Anne de La Roche Guilhem në shekullin XVII, tashmë i përkthyer në shqip nga prof. Ardian Ndreca. Kjo vepër, e ruajtur deri më sot në arkiva dhe biblioteka të huaja, risillet në qendër të vëmendjes si një dëshmi e hershme e figurës mitike të Skënderbeut në imagjinatën letrare të kohës.
Promovimi i këtij botimi të rëndësishëm u zhvillua në bibliotekën “Zoja e Shkodrës”, në një aktivitet të organizuar nga famullia e Arqipeshkvisë Metropolitane. Ngjarja mblodhi studiues, lexues dhe përfaqësues të institucioneve kulturore, duke rikthyer në fokus vlerat e trashëgimisë historike nëpërmjet letërsisë së angazhuar ndërkulturore.
Ky botim është më shumë se një akt përkthimi, është një rivalorizim kulturor që forcon ndërveprimin mes kujtesës historike kombëtare dhe traditës letrare evropiane. “Skënderbeu i Madh” i Anne de La Roche Guilhem jo vetëm pasuron fondin e letërsisë për Skënderbeun, por dëshmon se figura e tij ka frymëzuar mendje dhe zemra përtej kufijve të Shqipërisë, në një kohë kur Europa përballonte sfida të mëdha historike.
“Ajo që kuptojmë nëpërmjet romanit është fakti se historia e Shqipërisë, edhe në shek. XVII ka pas një lloj protagonizmi në gjirin e shoqërisë europiane, edhe pse kishim 200 vite që kishim rënë në robërinë osmane, vazhdonim të ishim pjesë e Evropës dhe të frymëzonim shtresat e larta të shoqërisë europiane”, tha përkthyesi i romanit, Ardian Ndreca. /kultplus