Sulmuesi i njohur zviceran po diskutohet si përforcim i mundshëm për Milanin
Milani ka shprehur interesim për sulmuesin e Zvicrës dhe të Monacos, Breel Embolo, ka raportuar Sky Sport Italia.
Zërat për një transferim të mundshëm të Embolos në “San Siro” kishin nisur që më herët këtë muaj, kur eksperti Fabrizio Romano zbuloi se sulmuesi i ishte propozuar klubit kuqezi.
Tani duket se drejtuesit e Milanit janë të gatshëm të hetojnë më thellë mundësinë e transferimit dhe të shohin nëse mund të arrihet një marrëveshje konkrete.
Çmimi i kartonit nuk pritet të jetë shumë i lartë, pasi kontrata aktuale e Embolos me Monacon skadon në qershor 2026, duke e bërë këtë një nga shanset e fundit për klubin francez për të përfituar financiarisht nga shitja.
.@acmilan, interesse concreto per Embolohttps://t.co/eUjPftks5y
— Gianluca Di Marzio (@DiMarzio) July 14, 2025
Sulmuesi 28-vjeçar u transferua te Monaco nga Borussia Monchengladbach për 12.5 milionë euro në verën e vitit 2022, pas eksperiencave të mëparshme me Basel dhe Schalke 04.
Me përfaqësuesen e Zvicrës, Embolo ka luajtur 77 ndeshje, duke shënuar 18 gola.
Gjatë sezonit të kaluar, ai zhvilloi 42 paraqitje zyrtare me Monacon, duke kontribuar me shtatë gola dhe nëntë asistime.
Profili i tij, një sulmues me fuqi fizike dhe shpejtësi, i përshtatet asaj që Milani kërkon për repartin ofensiv në këtë afat kalimtar. /Telegrafi