MSH: Kemi siguruar sasi të mjaftueshme kundër helmimeve nga kafshimi i gjarprit
Rritja e temperaturave gjatë verës ndikon drejtpërdrejt në rritjen e aktivitetit të gjarpërinjve, të cilët mund të shfaqen në hapësira të ndryshme, veçanërisht në zonat rurale, fusha, pyje, e madje edhe pranë shtëpive apo banesave.
E kjo situatë ka shkaktuar shqetësim mes qytetarëve, të cilët shpesh ndihen të pasigurt dhe të frikësuar për mundësinë e një kontakti të papritur me këto zvarranikë, sidomos gjatë lëvizjeve në natyrë apo në ambientet përreth shtëpisë.
Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur se ka siguruar një sasi të mjaftueshme serumi kundër helmimeve nga pickimi i gjarprit dhe ka furnizuar me to të gjitha qendrat e Kujdesit Parësor Shëndetësor që kanë paraqitur kërkesë për furnizim.
“Ju njoftojmë se Ministria e Shëndetësisë ka siguruar sasi të mjaftueshme të serumit kundër helmimeve nga kafshimi i gjarprit dhe IKSHPK-ja ka furnizuar me to të gjitha qendrat e Kujdesit Parësor Shëndetësor që kanë bërë kërkesë për furnizim. Gjithashtu, IKSHPK-ja ka njoftuar të gjitha qendrat në nivel vendi dhe u ka bërë thirrje të përsëritur që të furnizohen me serum, duke qenë se ka sasi të mjaftueshme dhe të siguruara me kohë”, kanë thënë për Telegrafin në një përgjigje nga MSH-ja.
Gjithashtu, Ministria e Shëndetësisë shtoi më tej se serumet janë siguruar edhe nga Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK), përfshirë Klinikën Infektive, ndërsa ato janë në dispozicion edhe për repartet infektive të spitaleve të përgjithshme (rajonale).
Më herët, Fondacioni për të Drejtat e Kafshëve ka bërë një njoftim të rëndësishëm rreth shfaqjes së gjarpërinjve në kohën kur temperaturat fillojnë të rriten, dhe si duhet pasur kujdes të shtuar në rast se e shihni ndonjë gjarpër.
Ku mund të shihni gjarpërinjtë?
– Në shkëmbinj, shtigje malore dhe rrugë
– Fshehur në bar të gjatë, shkurre, grumbuj druri ose nën mbeturina
– Pranë burimeve të ujit ose pikave me hije gjatë vapës
Si t’i shmangni gjarpërinjtë?
– Mbathni këpucë të mbyllura dhe pantallona të gjata kur ecni në natyrë
– Përdorni një shkop për të shushuritur butësisht shkurret ose barin përpara jush
– Mos ngritni gurët ose trungjet pa kontrolluar më parë
– Shmangni ecjen nëpër bar të gjatë pa një shteg të dukshëm
– Mbani oborret dhe pronat të pastra – largoni grumbujt e drurit, mbeturinave dhe barërat e këqija
Nëse shihni një gjarpër
– MOS u përpiqni ta vrisni ose të afroheni shumë!
– Qëndroni të qetë dhe largohuni ngadalë
– Edukojini fëmijët të shmangin gjarpërinjtë dhe të njoftojnë një të rritur nëse hasin në një gjarpër
Nëse kafshoheni nga një gjarpër (sidomos një nepërkë):
– Qëndroni të qetë – paniku rrit rrahjet e zemrës dhe përhap helmin më shpejt
– Imobilizoni gjymtyrën e kafshuar
– MOS thithni helmin dhe mos e preni plagën
– Telefononi menjëherë Shërbimet e Urgjencës (112) ose shkoni në spitalin më të afërt
– Nëse mundeni, kini parasysh pamjen e gjarprit (për trajtim), por mos rrezikoni sigurinë tuaj duke u përpjekur ta kapni ose fotografoni atë
Gjithashtu, Fondacioni për të Drejtat e Kafshëve ka njoftuar se shumica e gjarpërinjve në Kosovë nuk janë helmues, madje nepërkat kafshojnë vetëm nëse kërcënohen. Ata luajnë një rol të rëndësishëm në ekosistem – duke kontrolluar brejtësit dhe dëmtuesit.