Trumpi ndryshon politikën për armët në Ukrainë, por nuk ushtron presion të plotë ndaj Putinit
Kur presidenti amerikan, Donald Trump, tha javën e kaluar se do të bënte një “deklaratë të rëndësishme” për Rusinë, u përhapën spekulime se ai mund të përdorte rreth 4 miliardë dollarë ndihmë ushtarake të pashfrytëzuara për Ukrainën ose të vendoste sanksione ndaj Moskës dhe partnerëve të saj të mëdhenj tregtarë.
Por, më 14 korrik, Trump bëri një njoftim tjetër: ai tha se vendet evropiane anëtare të NATO-s do t’i dërgonin Ukrainës armët që tashmë i kanë në dispozicion - si sistemet raketore Patriot - dhe më pas do t’i zëvendësonin ato duke blerë armë të reja nga Shtetet e Bashkuara.
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, i cili ishte përkrah Trumpit në Shtëpinë e Bardhë gjatë këtij njoftimi, tha se vlera e këtyre armëve, do të arrijë në miliarda dollarë.
Megjithatë, ata nuk dhanë hollësi për llojin e armëve apo kohën e dërgesës.
Gazeta The Wall Street Journal, duke cituar dy burime që kanë dijeni për këtë strategji, raportoi se kjo paketë e armëve për Ukrainën mund të vlejë deri në 10 miliardë dollarë.
“Deklarata e rëndësishme” që premtoi Trump, tregoi se ai e ka ndryshuar qëndrimin për ndihmën ushtarake ndaj Ukrainës.
Por, për presidentin rus, Vladimir Putin, Trump nuk tregoi të njëjtin ndryshim.
Ai i dha Rusisë - e cila që nga viti i kaluar po avancon në frontin e luftës - edhe 50 ditë kohë për të pranuar një armëpushim. Vetëm pas kësaj periudhe, ai tha se mund të vendosë sanksione ndaj vendeve që tregtojnë me Rusinë, për ta shtyrë Moskën drejt negociatave.
“Bisedat me të janë të këndshme, dhe pastaj natën bien raketat”, tha Trump, duke folur për sulmet ajrore që Rusia kryen pothuajse çdo natë në Ukrainë.
“Nuk dua të them se është vrasës, por është i ashpër. Kjo është vërtetuar ndër vite. Ka mashtruar shumë njerëz”, shtoi ai, duke iu referuar Putinit.
Trump e ka bërë përfundimin e luftës në Ukrainë një nga prioritetet e tij kryesore në politikën e jashtme. Ai ka zhvilluar së paku gjashtë biseda telefonike me Putinin dhe ka dërguar emisarin e tij, Steve Witkoff, në Moskë së paku tri herë për të biseduar për paqe.
Por, Putin i ka refuzuar vazhdimisht kërkesat e Trumpit për një armëpushim 30-ditor, duke iu përgjigjur atyre me intensifikim të sulmeve ajrore ndaj Ukrainës.
Trump, i cili shpesh ka shprehur admirim për Putinin si udhëheqës dhe i ka përshkruar marrëdhëniet mes tyre si “shumë të mira”, tha se ka qenë afër arritjes së një marrëveshjeje për përfundimin e luftës rreth katër herë, por se të gjitha përpjekjet kanë dështuar.
“Jam shumë i zhgënjyer nga presidenti Putin, sepse mendoja se do të arrinim një marrëveshje para dy muajsh, por duket se kjo nuk po ndodh”, tha Trump.
John Hardie, zëvendësdrejtor i Programit për Rusinë në Fondacionin për Mbrojtjen e Demokracive, thotë se deklaratat e Trumpit tregojnë se ai “po lëviz në drejtimin e duhur” për Ukrainën, por shprehet i habitur përse i jep më shumë kohë Putinit.
“Putin e ka bërë të qartë se, për momentin, nuk ka asnjë synim për të negociuar seriozisht, ndaj nuk e kuptoj pse Trump pret ende për sanksionet”, thotë Hardie për Radion Evropa e Lirë.
Megjithatë, deklarata e Trumpit ishte deri tani mbështetja më e madhe që ai i dha Ukrainës që kur mori detyrën në janar.
Trump nuk ka dërguar asnjë ndihmë të re ushtarake për Ukrainën deri më tani, duke shpresuar se mund ta bindë Putinin dhe t’i japë fund luftës në fillim të mandatit të tij.
Paraardhësi i tij, presidenti Joe Biden, miratoi vlerën e 67 miliardë dollarëve ndihma ushtarake, por kur u largua nga detyra, rreth 4 miliardë mbetën të papërdorura.
Gjatë fushatës zgjedhore, Trump e kritikoi vazhdimisht ndihmën e Bidenit për Ukrainën, duke e promovuar agjendën e tij “Amerika e para”.
Tani, duke e paraqitur dërgimin e armëve përmes NATO-s si një marrëveshje shitjeje, e jo si ndihmë, ai mund të thotë se po e respekton premtimin e fushatës.
Zyrtarët rusë nuk u dhanë shumë rëndësi deklaratave të Trumpit.
“Brenda 50 ditësh mund të ndodhin shumë gjëra, si në fushën e betejës, ashtu edhe në sondazhet që ndikojnë qeveritë perëndimore. Gjëja më e rëndësishme është se kjo nuk ndikon fare në qëndrimin tonë”, shkroi në Telegram Konstantin Kosachev, nënkryetar i Parlamentit rus.
Ndërkohë, bursa kryesore e Rusisë, MICEX, u rrit për 2.7% pas komenteve të Trumpit - gjë që tregon se investitorët rusë kishin pritur masa më të ashpra nga Shtëpia e Bardhë.
“Ndryshim befasues”
Charles Kupchan, bashkëpunëtor i lartë në Këshillin për Marrëdhënie me Jashtë, thotë se ndryshimi në qëndrimin e Trumpit ndaj Rusisë dhe Ukrainës, është “mjaft befasues”.
Trump e përzuri presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky, nga Zyra Ovale në muajin shkurt, pas një përplasjeje mes tyre për luftën, e cila u transmetua drejtpërdrejt në televizion.
Trump e akuzoi liderin ukrainas, i cili kërkonte më shumë armë, se nuk donte ta përfundonte luftën.
Disa ditë më parë, Trump e kishte quajtur atë “diktator” - një fjalë që nuk e kishte përdorur kurrë për Putinin, i cili vazhdon të sundojë Rusinë për më shumë se një çerek shekulli.
Por, më pas, Ukraina e pranoi kërkesën e Trumpit për një armëpushim 30-ditor, ndërsa Putin kërkonte kushte, të cilat zyrtarët e Kievit dhe të Perëndimit i konsideruan të paarsyeshme.
Ndërsa Rusia vazhdonte të bombardonte qytetet ukrainase dhe të vriste qindra civilë, presidenti amerikan filloi të shprehte zhgënjim me Putinin, duke e quajtur edhe “të çmendur”.
“E keni parë se, gjatë disa muajve të fundit, Trump është afruar gjithnjë e më shumë drejt një qëndrimi më të ashpër kundër Putinit. Mendoj se deklarata e sotme nuk shkoi aq larg, sa mund të kishte shkuar, por kishte lëvizje konkrete”, thotë Kupchan për Radion Evropa e Lirë.
Bill Courtney, ish-diplomat amerikan dhe analist në Institutin RAND, thotë se Trump bëri shumë përpjekje për t’i dhënë fund luftës, dhe refuzimi i Putinit ishte “shumë i turpshëm” për administratën.
Megjithatë, Putin tani “e ka e tepruar”, sipas tij, duke e bërë Trumpin t’i dalë kundër.
Sanksione dhe taksa doganore
Gjatë takimit në Zyrën Ovale, Trump tha se do të vendosë “taksa doganore sekondare” nëse Rusia nuk e pranon armëpushimin brenda 50 ditësh, ose në fillim të shtatorit.
Por, këto komente ishin të paqarta dhe krijuan konfuzion.
Presidenti amerikan nuk sqaroi se cilat vende do të preken nga këto taksa.
Një ligj për sanksione ndaj Rusisë në Kongres përdor të njëjtin term dhe ka në shënjestër vendet që blejnë naftë ruse.
Eksportet e naftës janë burimi kryesor i të ardhurave për buxhetin e Rusisë - rreth një e treta.
Kina, India dhe Turqia janë blerëset kryesore të naftës ruse. Turqia është anëtare e NATO-s, ndërsa India është pjesë e QUAD-it - një partneritet diplomatik që përfshin edhe Shtetet e Bashkuara, Australinë dhe Japoninë.
“Nuk do të jetë e lehtë të ushtrohet presion mbi Indinë, sepse ajo është partnere e SHBA-së në QUAD, ndërsa Kina ka ndikim mbi SHBA-në në disa fusha, si metalet e rralla”, thotë Courtney.
Më vonë, CNN, duke cituar një zyrtar të paidentifikuar të Shtëpisë së Bardhë, raportoi se Trump, kur foli për “taksat doganore sekondare”, nënkuptoi taksa 100 për qind mbi Rusinë dhe sanksione dytësore ndaj vendeve të tjera që blejnë naftë ruse.
Radio Evropa e Lirë nuk arriti ta konfirmonte këtë interpretim.
Sanksionet dytësore janë një mjet i fuqishëm dhe mund t’i detyrojnë institucionet financiare dhe entitetet e tjera në Kinë, Indi dhe Turqi që të shmangin biznesin me Rusinë.
Zbatimi është thelbësor
Që nga marrja e detyrës, Trump nuk vendosi asnjë sanksion të ri ekonomik ndaj Rusisë, duke dobësuar sistemin e përgjithshëm të sanksioneve ndaj këtij vendi.
Sanksionet e reja duhet të vendosen rregullisht, për t’i penguar përpjekjet për t’i shmangur ato, për shembull, përmes krijimit të kompanive fiktive.
Ekspertët thonë se vendosja e sanksioneve të reja, pa e forcuar zbatimin e tyre, do ta zvogëlojë efektin e tyre.
“Vullneti politik për të zbatuar sanksionet ndaj Rusisë nuk është i madh, dhe kjo ndryshon nga prioritetet për sanksionet ndaj Kinës ose Iranit”, thotë Rachel Ziemba, analiste në Qendrën për Strategji të Re Amerikane, për Radion Evropa e Lirë.
Kimberly Donovan, eksperte për sanksione në Këshillin Atlantik në Uashington, thotë se nëse SHBA-ja do që ta sjellë Rusinë në tavolinën e negociatave, duhet të bëhet më e ashpër ndaj industrisë së naftës ruse.
“Mendoj se duhet të ndërmarrim masa për të sanksionuar naftën ruse, siç bëmë me Iranin”, thotë ajo.
Prodhimi i naftës iraniane ra ndjeshëm pas sanksioneve amerikane, duke dëmtuar rëndë ekonominë e vendit.
Kupchan mendon se miratimi i projektligjit për sanksione ndaj Rusisë do të ketë “rëndësi simbolike”, edhe nëse Trump zbaton vetëm pjesë të tij.
“Kjo i dërgon mesazh Putinit se Trump është i gatshëm t’i ashpërsojë masat”, thotë ai, duke shtuar se mund të ketë edhe hapa të mëtejshëm kundër Rusisë.