Fermerët e Mamushës përfitojnë 200 makineri për spërkatje
Mbi 200 makineri për spërkatje janë dhuruar fermerëve të Mamushës nga TIKA dhe Ambasada e Turqisë në Kosovë. Përdorimi i tyre pritet të lehtësojë ndjeshëm punën në fushat bujqësore, në një kohë kur kultura si domatja, trangujt dhe lakra janë në kulmin e prodhimit.
Në Mamushë janë shpërndarë 200 makineri për spërkatje të kulturave bujqësore. Ky donacion është bërë nga TIKA dhe Ambasada e Turqisë në Kosovë, për t’i mbështetur fermerët e këtij rajoni, i cili njihet për prodhimtarinë bujqësore.
Fermerët thanë se makineria ua lehtëson punën. “Kjo makinë na lehtëson shumë. Deri tash nuk ia kemi ditur vlerën, kemi qenë të izoluar dhe kemi qenë në mungesë për gjithçka,” thanë fermerët.
Për donacionin folën nga niveli qendror e ai lokal, si dhe nga TIKA.
“Kjo ka qenë një kërkesë e madhe prej bujqve të komunës, për spërkatjen e mbjelljeve të tyre – sidomos për domate, tranguj, lakër dhe prodhime të tjera,” tha Abdylhadi Krasniç, kryetar i Komunës së Mamushës.
“Mamusha merret më së shumti me bujqësi. Kjo mbështetje për bujqit është shumë e rëndësishme, sepse është një teknologji që ua lehtëson punën bujqëve në fusha. Besojmë se do të shfrytëzohet maksimalisht e të kemi edhe më shumë prodhime me kualitet e cilësore,” tha Fikrim Damka, ministër në detyrë për Zhvillim Rajonal.
“Prodhimet e Mamushës tashmë eksportohen në Spanjë, Zvicër dhe në vende të tjera evropiane. Djersa juaj është arsyeja që sot përfitoni këto makineri,” tha Sabri Tunç Angëlë, ambasador i Turqisë në Kosovë.
Ndërkaq, Fulya Arslan, koordinatore e TIKA-s, tha se “Ky projekt do të lehtësojë dhe përshpejtojë punën tuaj në bujqësi, duke rritur prodhimin në këto toka të bekuara.”
Donacioni u vlerësua si kontribut konkret në zhvillimin e bujqësisë në këtë zonë të rëndësishme prodhuese të Kosovës.