Kryeprokurorja e Specializuar thotë se vendimi i sotëm ndaj Pjetër Shalës e përforcon sundimin e ligjit

Kryeprokurorja e Zyrës së Prokurorit të Specializuar, Kimberly West e ka mirëpritur vendimin e uljes së dënimit në shkallë të dytë ndaj Pjetër Shalës nga 18 vjet në 13 vjet burgim për krime lufte.

“E mirëpres aktgjykimin e sotëm i cili përforcon sundimin e ligjit dhe kontribuon në arritjen e vënies para përgjegjësisë për krime serioze dhe vendosjen e drejtësisë për viktimat e z. Shala”, citohet të ketë thënë Kimberly West.

West ka theksuar ZPS-ja do ta shqyrtojë me kujdes të gjithë aktgjykimin, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“Mbaj shënim ndryshimin e gjatësisë së dënimit të shqiptuar dhe konstatimet e tjera të gjykatës. Zyra ime do ta shqyrtojë me kujdes të gjithë aktgjykimin ditët e ardhshme”, citohet të ketë thënë kryeprokurorja.

Gjykata e Apelit e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, ka shpallur të hënën aktgjykim dënues ndaj Pjetër Shalës, duke e dënuar me 13 vjet burgim. Kjo Gjykatë, ia uli dënimin Shalës, i cili nga shkalla e parë e Speciales ishte dënuar me 18 vjet burgim.

Aktgjykimi u shpall nga trupi gjykues i përbërë nga Michele Picard- kryetare, dhe gjyqtarët Kai Ambos dhe Nina Jorgensen.

Gjykatësi Ambos i cili lexoi aktgjykimin, tha se Apeli miratoi pjesërisht pikën 7, 12 dhe 14 të ankesës së Shalës, kurse rrëzoi apelin për aspektet e tjera.

“Miraton pjesërisht pikën 7, pjesërisht pikën 12 dhe pjesërisht pikën 14 të apelit të zotit Shala. Rrëzon pjesërisht verdiktin e fajësisë për pikën 1 dhe 3 të aktakuzës në lidhje me pjesët e tyre që bazohen në ndalimin arbitrar të dy personave dhe në torturimin e pesë personave. Rrëzon apelin e zotit Shala për të gjitha aspektet tjera. Lë në fuqi pjesën tjetër të verdiktit të fajësisë të zotit Shalën për krimin e luftës së ndalimit arbitrar në bazë të nenit 14 (1c) dhhe neni 16 (1a) të Ligjit, sipas pikës 1 të aktakuzës- krimin e luftës të torturës dhe krimin e luftës së vrasjes së paligjshme”, tha Ambos.

Gjykatësi tha se Apeli lë në fuqi dënimin me 6 vjet burgim për pikën 1 të aktakuzës, kurse anulon vendimi me 16 vjet burgim për pikën 3 të aktakuzës.

Kjo Gjykatë, dënoi Shalën me 13 vjet burgim në lidhje me pikën 4 të aktakuzës. Kurse, anuloi dënimin me 18 vjet burgim për po atë pikë akuzës dhe caktoi dënim me 13 vjet burgim.

Apeli anuloi dënimin unik me 18 vjet burgim të shpallur nga shkalla e parë dhe e dënoi Shalën me 13 vjet burgim, duke ia llogaritur edhe kohën e kaluar në paraburgim.

Shala ishte arrestuar më 16 mars 2021 dhe më pas u transferua në Hagë më 15 prill 2021. Nga ajo kohë, ai gjendet në paraburgim.

Shala në këtë seancë ishte i pranishëm përmes video-lidhjes.Në këtë rast janë mbajtur dy seanca të Apelit (15 dhe 16 maj 2025) në të cilat mbrojtja ka kërkuar lirimin e Shalës ose rikthimin e çështjes në rigjykim, ndërsa Prokuroria ka thënë se trupi gjykues në këtë rast ka vendosur drejt. Ngjashëm sikurse Prokuroria, qëndrimin e ka pasur edhe mbrojtësi i viktimave.

Ndryshe, më 28 mars 2025 është hudhur poshtë një kërkesë e mbrojtjes që në Apel të thirret Sokol Dobruna si dëshmitar i saj.

Në vendimin e saj, kryetarja e trupit gjykues, Michele Picard ka thënë se provat e propozuara nuk do të ndikonin në aktgjykimin ndaj Shalës në rast që ato do të ishin pranuar gjatë gjykimit në shkallë të parë, ku Shala u dënua me 18 vjet burgim për krime lufte.

Ndryshe, Pjetër Shala i përfaqësuar nga mbrojtja e tij, ka dorëzuar në Apel kërkesën kundër urdhrit për zhdëmtim që iu shqiptua më 29 nëntor 2024, i cili e obligonte që t’iu paguante viktimave 208 mijë euro. Megjithatë, vendimi për apelin kundër urdhrit për zhdëmtim nuk do të merret në kuadër të aktgjykimit të Apelit.

Duke u mbështetur në pesë pika, Shala kërkon që të Paneli i Apelit ta pezullojë shqyrtimin e apelimit kundër këtij urdhri për zhdëmtim derisa të shqyrtohet apelimi për dënimin me 18 vjet burg, ndaj tij për krime lufte ose ta anulojë masën e dhënë dhe ta kthejë atë në rishqyrtim tek një trup gjykues tjetër.

Më 16 korrik, Pjetër Shala është dënuar me 18 vjet burgim, ku u konstatua se përtej dyshimeve të bazuara është fajtor për pikat 1, 3 dhe 4 të akuzës.

Shala u shpall fajtor për ndalim arbitrar si krim lufte kundër së paku 18 personave në periudhën mes 17 majit 1999 deri më 5 qershor të atij viti në Fabrikën e Metalit në Kukës, torturë si krim lufte kundër së paku 18 personave dhe vrasje e paligjshme si krim lufte kundër një personi.

Ndryshe, gjatë muajit shkurt 2023 kishte filluar gjykimi në këtë rast, ku më 21 shkurt Prokuroria dhe mbrojtja e viktimave kanë paraqitur deklaratat e tyre hyrëse, kurse më 22 shkurt janë dëgjuar deklaratat hyrëse të mbrojtjes së Pjetër Shalës, si dhe deklarata pa betim e tij.

Në mars 2023 kishte filluar paraqitja e provave të Prokurorisë, ku janë dëgjuar 10 dëshmitarë, kurse në gusht kishte filluar paraqitja e provave nga mbrojtësi i viktimave ku janë dëgjuar dy dëshmitarë.

Pjetër Shala u arrestua më 16 mars 2021, nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill 2021, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletëarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Në aktakuzën e konfirmuar, Shala ngarkohet me përgjegjësi penale individuale në forma të ndryshme për krime lufte si ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme, të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur në Kosovë dhe në lidhje me këtë konflikt.

“Krimet për të cilat akuzohet z. Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, thuhet në komunikatë.