Osmani udhëton për vizitë pune në Letoni

 

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka udhëtuar për vizitë pune në Letoni, me ftesë të presidentit letonez, Edgars Rinkeviqs.

Sipas Presidencës, Osmani do të pritet fillimisht me presidentin Rinkeviçs dhe më pas do të mbajnë një konferencë për media, raprton Zeri.info.

“Presidentja Osmani do t’i dorëzojë Presidentit Rinkëviës medaljen ushtarake presidenciale për Forcat Mbrojtëse të Letonisë për kontributin e tyre për paqen dhe sigurinë si pjesë e KFOR-it.

Gjatë vizitës njëditore, Presidentja Osmani do të vizitojë edhe Qendrën e Ekselencës së NATO-s për Komunikim Strategjik (STRATCOM), do të zhvillojë po ashtu edhe takime me përfaqësues të Odës Ekonomike të Letonisë, si dhe do të ketë një diskutim me ekspertë dhe akademikë për politikat që garantojnë paqe dhe siguri të qëndrueshme.

Vizita e Presidentes Osmani synon forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve ndërshtetërore me Letoninë, avancimin e bashkëpunimit bilateral në fushat e politikës së jashtme, mbrojtjes e sigurisë, ekonomisë, integrimit euroatlantik, si dhe shkëmbimit të përvojave në fuqizimin e institucioneve demokratike”, thuhet në njoftim. /Zëri