Prokurorja e specializuar e mirëpret aktgjykimin e Apelit ndaj Shalës si “përforcim të sundimit të ligjit”

Prokurorja e Specializuar Kimbërli Uest (Kimberly West) e mirëpriti aktgjykimin e sotëm në gjyqin e apelit ndaj Pjetër Shalës, që la në fuqi dënimet për të gjitha akuzat, por ndryshoi gjatësinë e dënimit të Shalës, duke e quajtur atë përforcim të sundimit të ligjit.

“E mirëpres aktgjykimin e sotëm i cili përforcon sundimin e ligjit dhe kontribuon në arritjen e vënies para përgjegjësisë për krime serioze dhe vendosjen e drejtësisë për viktimat e z. Shala,” tha Uest në një reagim pas shpalljes së aktgjykimit nga Paneli i Gjykatës së Apelit të Dhomave të Specializuara.

“Mbaj shënim ndryshimin e gjatësisë së dënimit të shqiptuar dhe konstatimet e tjera të gjykatës. Zyra ime do ta shqyrtojë me kujdes të gjithë aktgjykimin ditët e ardhshme”, vazhdoi prokurorja e specializuar.

Në aktgjykimin e shkallës së parë të 16 korrikut 2024, Shala u shpall fajtor për tri akuza për krime lufte – ndalim arbitrar; torturë; dhe vrasje e paligjshme – dhe u dënua me 18 vjet burg.

Sot, Paneli i Gjykatës së Apelit i la në fuqi dënimet për të gjitha akuzat, theksoi natyrën e rëndë të krimeve dhe ndryshoi gjatësinë e dënimit të Shalës në 13 vjet burg.